KQZ do të kërkojë edhe ndihmën e AKI-së para certifikimit të kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka sqaruar të gjithë rrugën që është paraparë nga fillimi i aplikimit të subjekteve politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje dhe deri në certifikimin e tyre dhe kandidatëve të tyre.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se cilave institucione do t’u drejtohen për të bërë verifikimin e kandidatëve nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
“Me qëllim të zbatimit të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të bashkëpunojë me disa institucione të cilat kanë rolin e tyre gjatë zhvillimit të periudhës së aplikimit/certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Në këtë drejtim, KQZ-ja do të dërgojë kërkesë në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Ministri të Jashtme dhe Ministri të Mbrojtjes, për verifikim të kandidatëve sipas nenit 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme”, tha Elezi.
Ai ka treguar edhe më konkretisht se cilit institucion do t’i drejtohen për të verifikuar kandidatët e subjekteve politike nëse janë në përputhje me germën Q të nenin 29, e cila nuk lejon certifikimin e personave që janë shpallur fajtor për veprën penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit.
“Në mesin e institucioneve me të cilat KQZ-ja do të bashkëpunojë gjatë kësaj faze të procesit zgjedhor është edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Pra, në këtë institucion do të përcjellim listat e të gjithë kandidatëve për të kërkuar verifikim nëse janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, në këtë rast me germën Q të këtij ligji, ku përmendet se nuk mund të certifikohet kandidat një person i shpallur fajtor për veprën penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, bëri të ditur Elezi.
Sipas KQZ-së, afati për aplikim për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 shkurtit është data 16 janar dhe deri në orën 18:00 ky institucion do të pranojë aplikimet, ndryshe nga herët e kaluara kur ky afat përmbyllej në mesnatë. Pra, deri në këtë subjektet politike duhet të sjellin edhe listat e kandidatëve për deputetë.
Zëdhënësi i KQZ-së, ka bërë të ditur se sipas planit operacional të miratuar nga KQZ-ja, gjashtë institucionet e lartpërmendura duhet të përgjigjen në kërkesën e KQZ-së deri më datë 20 janar, raporton EO.
“Në bazë të planit opercional të miratuar nga KQZ-ja, ne presim përgjigje për verifikim të kandidatëve nga institucionet që përmenda më lartë, deri më 20 janar, pasi në bazë të këtij plani është paraparë që listat me emrat e kandidatëve t’ua dërgojmë më 18 janar”, tha ai.
Hapi i radhës pasi KQZ-ja të pranojë këto përgjigje do të jetë vendimmarrja në këtë institucion.
“Pasi të kemi pranuar përgjigjet për verifikim nga këto institucione, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për aprovimin ose refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve. Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Planin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it. KQZ-ja do të veprojë sipas vendimeve që dalin nga këto institucione”, tha Elezi.
Sipas tij, kjo periudhë e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.