Edhe pa mandat, deputetët përfitojnë nga shteti
Përmes ligjit për të drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit, dhe rregulloren e Kuvendit të Kosovës, për deputetët është rregulluar që të marrin pagën e tyre bazë edhe një vit pas përfundimit të mandatit.
Duke mos llogaritur kompensimet për pjesëmarrje në seanca dhe komisione parlamentare, paga bazë e deputetit në Kuvendin e Kosovës është 1.547 euro.
Organizatat që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës po kërkojnë që të rishqyrtohet ligji dhe kompensimi për deputetët të bëhet deri në gjysmë page për një vit pas mandatit.
Qysh moti deputetët e Kuvendit të Kosovës janë kujdesur për përfitimet e tyre pas përfundimit të mandatit.
Aktualisht, në bazë të kornizës ligjore te gjithë deputetët që përfundojnë mandatin, dhe nuk marrin pagë tjetër nga buxheti i Kosovës, e gëzojnë pagën e deputetit edhe për një vit.
E kjo ndërpritet kur ata fillojnë një tjetër marrëdhënie pune apo rizgjidhen deputet në legjislaturën e re.
“Bazuar në nenin 14 dhe nenin 16 të Ligjit për drejtat dhe përgjegjësitë e deputetit dhe Rregulloren e Kuvendit, Shtojca nr. 4, Rregulla 2., deputeti, deri në 12 muaj nga dita e përfundimit të mandatit, ka të drejtë në pagën bazë, nëse nuk ka të hyra financiare nga ndonjë burim tjetër”, thuhet në një përgjigje të Kuvendit të Kosovës, dhënë KosovaPress-it.
Por në Institutin Demokratik të Kosovës vlerësojnë se një vit kalendarik është periudhë e gjatë dhe sipas tyre për ish deputetët duhet të ketë kompensim deri në gjashtë muaj.
“Ne si KDI vlerësojmë që çështja e pensioneve apo çështja e kompensimit të deputetëve pas për përfundimit të mandatit, është praktikë e cila është pothuajse e përhapur në gjithë Evropën dhe në vendet me sisteme edhe më të konsoliduar se ne mirëpo që do të duhej që deputetët, përkatësisht legjislatura e re të tentonte ta shkurtonte këtë kohë meqenëse një vit kalendari është periudhë e gjatë kohore dhe krijon kosto të madhe për buxhetin e vendit sidomos duke marrë parasysh nivelin e pagave të cilat gëzojnë deputetët, andaj do të ishte mirë të merren modele të tilla si gjashtë muaj maksimalisht qe të kompensohen”, thotë Eugen Cakolli nga KDI.
Ani pse ishin deputetë vetëm një vit, ata të legjislaturës së fundit, e cila përfundoi në janar te këtij viti me shpërbërjen e Kuvendit, do të paguhen nga shteti për plot 12 muaj.Legjislatura e shtatë e Kuvendit të Kosovës ka zgjatur vetëm një vit, dhe për shkak të përhapjes se koronavirusit ne Kosovë, punimet e Kuvendit nuk janë zhvilluar normalisht.
Albana Rexha nga Demokracia Plus thotë se për shkak të situatës me pandeminë, deputetët është dashur mos të pranojnë kompensimin e plotë, duke kontribuar kështu në ndihmë të qytetarëve që u goditën nga pandemia.
“Ne vlerësojmë që është e domosdoshme të rishqyrtohet ky kompensim kalimtar prej 12 muajsh dhe në këtë mënyrë të shkurtohet kohëzgjatja prej 12 muajsh në të paktën gjashtë muaj ose të shkurtohet paga, jo të ipet e plotë por të ipet vetëm gjysma e saj. Meqenëse kjo nuk ka ndodhur në mënyrë vullnetare nga ana e deputetëve, edhe pse mbase mund të shihet si një simbolikë por kjo por do të përçonin një mesazh shumë të mirë pasi që deputetët do të solidarizoheshin me popullin në mënyrë që të kalohet sa më lehtë kjo pjesa e gjendjes ekonomike për shkak të pandemisë”, thotë ajo.
Megjithë sfidat dhe krizën e shkaktuar nga pandemia në ekonomi, deputetët i kanë marrë të plota pagat e tyre.
Ndërsa për legjislaturën e gjashtë, për deputetët qe kanë realizuar pagën kalimtar janë paguar 1,342,161 euro.