Kandidatët ankohen për konkursin për zjarrfikës në Komunën e Prizrenit
Disa kandidatë që kanë aplikuar e më pas eliminuar në konkursin e Agjencisë së Menaxhimit të Emergjencave për plotësimin e 23 pozitave për zjarrfikës në komunën e Prizrenit, janë ankuar se konkursi ishte i kurdisur, dhe se janë përzgjedhur kandidatë të caktuar.
Kandidati i cili është ankuar në KALLXO.com, ka dashur të mbetet anonim për publikun, për shkak se sipas tij, nëse publikohet emri, mund të eliminohet përsëri në konkurset e tjera.
Ai ka pretenduar se në për konkursin në fjalë, testi me shkrim është shpërndarë tek disa kandidatë të caktuar, ende pa filluar testimi.
Konkursi ishte i hapur deri më 13 dhjetor 2020.
Në fund, pas testit fizik, me shkrim dhe me gojë konkursi, ishte mbyllur dhe me 6 janar 2021, e më pas, ishin shpallur 23 kandidatët e suksesshëm, të cilët kishin fituar pozitat.
KALLXO.com ka kontaktuar Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave (AME), në lidhje me pretendimet e kandidatit anonim. AME-ja ka mohuar se është shpërndarë testi me shkrim, apo ka pasur kurdisje.
“Komisioni Profesional për rekrutim ka zbatuar të gjitha procedurat e paraparë me legjislacionin në fuqi dhe në konkursin publik të shpallur, të drejtë konkurrimi kanë pas të gjithë ata që i plotësojnë kriteret ligjore, pa dallim gjinie dhe përkatësie etnike të specifikuara në konkursin publik i cili ka qenë i publikuar në gazetën ditore si dhe në web faqen e AME-së”, thuhet në përgjigje.
Edhe në lidhje me pretendimin se testi është shpërndarë, AME ka mohuar një gjë të tillë.
“Testi me pyetje nuk është shpërndarë asnjëherë dhe në asnjë formë”, thuhet në përgjigjen e AME-së dhënë me shkrim.