Po mbahet ” Olimpiada e Matematikës” ku po marrin pjesë 76 nxënës të shkollave Prizrenit
Drejtoria Komunale e Arsimit, në bashkëpunim me Shoqatën e Matematikanëve të Kosovës, të shtunën janë duke e organizuar “Olimpiaden e Matematikës” në nivel të komunës, me nxënësit e klasave të 9-12-ta. Në shkollën ” Abdyl Frashëri”, ka filluar mbajtja e ” Olimpiades së Matematikës” në të cilen po marrin pjesë 76 nxënës nga 17 shkolla të komunës së Prizrenit.
E pranishme në hapje të kësaj Olimpiade ishte edhe drejtoresha e Arsimit, Xhemile Thaçi- Vezgishi, e cila i uroi suksese nxënësve dhe tha se dikasteri që e drejton ajo dhe drejtuesit e shkollave janë angazhuar maksimalisht për organizimin dhe mbarëvajtjen e kësaj gare tejet të rëndësishme, ku fituesit më pas do të përfaqësojnë Prizrenin në nivelin shtetëror, kombëtar dhe atë ndërkombëtar.
Zyrtari i DKA-së, Nexhat Maçkaj, tha se nga kjo Olimpiadë 12 fituesit 3 nga secila klasë më pas do të marrin pjesë në garën shtetërore që do të mbahet në Prishtinë me datën 27 shkurt. Pjesëmarrësit e kësaj Olimpiade, Puhiza Shemsedini dhe Klevisa Gaxha, fituese të kësaj gare vitin e kaluar dhe Besim Qunaj, u shprehen optimist për të arritur sukses në këtë organizim tejet të rëndësishëm për ata.
Fituesit e kësaj Olimpiade, do të përfaqësojnë Prizrenin në garën shtetërore në fund të muajit shkurt, ndërsa ata kanë rastin që të përfaqësojnë edhe vendin tonë në garën e përbashkët me Republikën e Shqipërisë, në garat evropiane dhe Olimpiadën Botërore të Matematikës, e cila këtë vit do të mbahet në Rusi, njoftuan zyrtarë të DKA-së./Tv Prizreni