Duda Balje dorëzon ankesë në Supreme, beson se do të bëhet deputete
Duda Balje nga Unioni Socialdemokrat ka dorëzuar sot ankesë në Gjykatën Supreme pas vendimit të PZAP’it për rinumërim të votave në vendbanime të banuara me boshnjakë në Kosovë.
Balje beson se pas vendimit të Supremes, do të sigurojë një vend në Kuvend.
‘’Ne thirremi në emrin e Kushtetutës për me i mbrojt të drejtat tona. Po besoj që do të sigurojmë një ulëse.’’, ka thënë ajo.
Në ndërkohë PZAP’ja dje e ka pranuar si pjesërisht të bazuar apelin e partisë së Baljes, që apeloi kundër vendimit të KQZ’së për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“PRANOHEN pjesërisht të bazuara apelet Anr.656/2021. A.nr.733/2021 dhe A.nr.735/2021 të paraqitura nga subjektet politike Nasha Iniciativa, Unioni Social Demokrat dhe Nova Demokratska Stranka të datës 05.03.2021 kundër vendimit të KQZ-së nr.860-2021 të datës 04.03.2021, për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbajtur me 14 Shkurt 2021”, thuhet në vendimin e PZAP’së.