Shpërndahen ndihma për 150 famije prizrenase në nevojë
Të martën, është bërë shpërndarja e pakove ushqimore dhe mbulesave dimërore për 150 familje në nevojë në Prizren, donacion ky i siguruar nga organizata “Qatar Charity”.
Me rastin e shpërndarjes së këtyre ndihmave, ishte i pranishëm edhe kryetari i komunës, Mytaher Haskuka, i shoqëruar nga drejtori i Mirëqenies Sociale, Islam Thaçi dhe përfaqësues të organizatës ” Qatar Charity”.
Kryetari Haskuka falënderoi shoqatën nga Katari për gatishmërinë e treguar për të ndihmuar familjet prizrenase në nevojë, duke e vlerësuar tejet të rëndësishme këtë ndihmë në këtë kohë të pandemisë Covid-19. Drejtori i Mirëqenies Sociale, Islam Thaçi, tha se përfituese të këtyre ndihmave janë rastet më të rënda të familjeve nga skema sociale si dhe njoftoi se vlera e pakove ushqimore është 50 euro, si dhe falënderoi gjithashtu ” Qatar Charity” për këtë kontigjent të ndihmave.
Ai gjithashtu tregoi arsyet pse këto ndihma nuk kanë mundur t’ia shpërndajnë këtyre familjeve nëpër shtëpitë e tyre, pasi që një numër i madh i tyre kishin ardhur për t’i tërhequr këto ndihma duke rrezikuar përhapjen e virusit famëkeq.
Ndërkaq, përfaqësuesi i kësaj organizate nga Katari në Kosovë, Ukë Rexhepi, falënderoi për bashkëpunimin drejtuesit e komunës së Prizrenit, dhe tha se ky lloj bashkëpunimi pritet të vazhdojë edhe në të ardhmen.
Ndryshe, numër i madh i familjarëve kishin ardhur sot për t’i tërhequr këto ndihma që janë tregues se ato kanë nevojë për kësilloj mbështetje./Tv Prizreni