MSH-ja: Nuk e refuzuam vaksinimin në Shqipëri, nuk morëm shkresë zyrtare
Ministria e Shëndetësisë së Republikës së Kosovës ka deklaruar se nuk kanë pranuar shkresë zyrtare për vaksinimin e personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri dhe se listën e personelit mjekësor që duan në mënyrë vullnetare të vaksinohen në Shqipëri ende nuk e kanë pranuar nga SHSKUK dhe IKSHPK.
Në përgjigjen e MSH-së dërguar Telegrafit thuhet se nuk e kanë refuzuar këtë ndihmë nga Shqipëria, por në fokus është vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë.
“MSh nuk ka refuzuar këtë ndihme simbolike, por është e kuptueshme që fokusi është që vaksinimi të fillojë sa më parë në Kosovë. Deri tash, MSh nuk ka marrë ndonjë liste të personelit shëndetësor të deklaruar për të shkuar për vaksinim të organizuar në Shqipëri”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Nga ky institucion thonë se nuk kanë pasur komunikim me shkresa, përveç kontakteve mes ministrave dhe se gjesti i Qeverisë së Shqipërisë është mirëpritur nga Ministria e Shëndetësisë.
“Deri tani shkresë zyrtare për vaksinim të personelit shëndetësor kosovar në Shqipëri nuk ka pasur, përveç kontakteve telefonike midis ministrave dhe faktit qe MSh ka mirëpritur këtë gjest të Qeverisë së Republikës së Shqipërisë”, thuhet në përgjigjen e MSH’së.
Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur po ashtu se ka kërkuar nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës që në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike ta përpilojnë listën e personelit që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri, por që një listë të tillë ende nuk e kanë pranuar.
“MSh ka kërkuar nga SHSKUK-ja që në bashkëpunim me IKSHPK-në të përgatisin listën e personelit shëndetësor që dëshiron të vaksinohet në Shqipëri vullnetarisht, një numër simbolik sa është ofruar nga Shqipëria. Pra, varet edhe nga vullneti i personalit shëndetësor, meqë vaksina ka efekte preventive, por ligjërisht jo e detyrueshme, së paku deri tani”, thonë nga MSH-ja.