I caktohet arrest shtëpiak personit që sulmoi infermierin në Prizren
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, gjyqtari i procedurës – Refki Piraj, ka caktuar masën e arresti shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar, nga neni 402 par. 3 lidhur me par. 1 të Kodi Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datat 14 mars, në orët e mbrëmjes, në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren, i pandehuri A.K., e sulmon fizikisht personin zyrtar – infermierin teknik i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare, ashtu që pasi i pandehuri e dërgon djalin e tij në Spital për të kryer ekzaminim, i dëmtuari – infermieri teknik i kërkon të dhënat personale të djalit të të pandehurit pasi këto shënime nuk ishin të evidentuara në udhëzim, e pas kësaj i pandehuri fillon të fjaloset me të dëmtuarin duke i ‘u drejtuar me fjalët “ për para e ki a, dhe se me të kam problem që dy vite”, dhe pas kësaj me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte në pjesën e fytyrës dhe hundës, si rrjedhojë e së cilës të dëmtuarit i shkakton lëndime trupore.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës, ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit, dhe ndaj të pandehurit ka caktuar masën e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji ashtu që do të llogaritet prej datës së arrestimit më 14.03.2021 dhe mund të zgjasë deri më datë 14.04.2021.
I pandehuri A.K., nuk guxon që të largohet nga lokalet ku i njëjti e ka vendbanimin në Prizren, si dhe i ndalohet të kontaktoj me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i pandehuri, nëse i njëjti e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit.
Gjykata është e mendimit se edhe me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit do të sigurohet prezenca e tij, e në rastin konkret i pandehuri gjatë deklarimit të dhënë në Polici, ka pranuar se ka kryer sulmin ndaj personit zyrtar, ndërsa këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak të gjendjes jo të mirë të tij dhe të djalit të tij, të cilin e kishte dërguar për trajtim në spital,
Kështu, sipas bindjes dhe vlerësimit të gjykatës, me caktimin e masës së arrestit shtëpiak, nuk do të vështirësohet apo pengohet zhvillimi i procedurës penale- hetimore, nuk do të ndikohej në prova, dëshmitarë e të dëmtuarin dhe i pandehuri do të parandalohet që të kryej ndonjë vepër tjetër penale apo të përsërisë veprën e kryer penale.