As sot s’ka qarkullim të autobusëve në Kosovë
Të mërkurën filloi grevë-protesta e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve, e të cilët vendosen që të ndalin qarkullimin e autobusëve.
Bojkotimi i punës dhe greva e operatorëve të transportit publik do të vazhdojë edhe sot, ndërsa është paralajmëruar se në ditën e premte Shoqata e Transportuesve Rrugor të Udhëtarëve do të organizon protestë në Prishtinë, dhe të gjithë operatorët do t’i sjellin autobusët para Qeverisë së Kosovës.
Kryetari i kësaj shoqate Ruzhdi Kurtishaj të mërkurën tha se Këshilli Drejtues i shoqatës mori vendim që greva për mos qarkullim të transportit rrugor të udhëtarëve do të vazhdon edhe sot, ndërsa të premten orën 10:00 të gjithë operatorët e transportit do të defilojnë me autobus në Prishtinë në shenjë pakënaqësie për mos realizimin e marrëveshjes nga ana e qeverisë për subvencionim të humbjeve ekonomike që kanë pasur operatorët e transportit publik në pandemi.
KosovaPress ka siguruar edhe marrëveshjen e arritur ndërmjet kësaj shoqate dhe Qeverisë së Kosovës të arritur më 28 janar të këtij viti, ku thuhet se “palët janë dakorduar që transporti ndër urban të mbështetet bazuar në kilometrat e mbajtura sipas rendeve të udhëtimit të vërtetuara nga Ministria e Infrastrukturës”.
Ndërkohë që kryeministri në detyrë e Kosovës, Avdullah Hoti nëpërmjet një komunikate për media ka kërkuar nga Shoqata e Transportuesve të udhëtarëve që sa më parë të kthejnë shërbime për qytetarët. Ai ka shprehur gatishmërinë për diskutim me përfaqësuesit e këtij sektori me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të favorshme.
Në komunikatë thuhet edhe se bizneset e sektorit të transportit të udhëtarëve kanë qenë përfitues nga masat e Qeverisë (psh. pagesa prej 290 eurove për numër të të punësuarve, pagesa 50 % të qirasë, pagesa e 170 eurove). Në fund të komunikatës thuhet se pandemia COVID-19 ka prekur shumë sektorë dhe se është e pamundur që shteti të kompensojë çdo humbje që kanë pasur bizneset
Mirëpo, kreu i shoqatës tha se kërkesat e tyre janë të njohura për Qeverinë që prej verës së kaluar.
Po ashtu Kurtishaj ka thënë se ka unitet nga pronarët e autobusëve në të gjitha qytetet për të vazhduar edhe më tutje me grevën dhe protestën deri në realizmin e marrëveshjes.