Krasniqi: Me këtë trend të infektimeve gjatë muajit mars tejkalohen kapacitetet spitalore
Drejtori i Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi ka alarmuar se bazuar në trendin e rritjes së rasteve me Covid-19, mund të ketë vështirësi në hospitalizimin e personave të infektuar me koronavirus.
Krasniqi theksoi se aktualisht rreth 800 pacientë me Covid-19 që janë të shtrirë në Spitalet Rajonale dhe në qendrat për Covid në QKUK.
“Tash e pothuajse tri javë, ShSKUK-ja është duke u ngarkuar me numër të madh të rasteve të hospitalizuar. Numri i të shtrirëve sot ka arritur në 800. Kemi saktësisht 798 pacientë që po marrin shërbime në spitalet rajonale dhe në qendrat Covid. Kjo i bjen që brenda 18 ditëve të muajit mars kemi rritje të hospitalizuarve pre 66%”, ka thënë Krasniqi.
Për sa i përket rritjes së rasteve të reja me koronavirus, Krasniqi theksoi se është mjaft shqetësuese për ta.
“Kjo rritje për neve në një periudhë kaq të shkurtër kohore për ne është mjaft shqetësuese. Nëse vazhdon ky trend i rritjes së të hospitalizuarve nënkupton që mbase brenda muajit mars do të tejkalohen kapacitetet e planifikuara. Ne si ShSKUK u bëjmë thirrje këtij Komitetit dhe Qeverisë që të rrisin kapacitetet në shtretër”, ka thënë më tutje Krasniqi.
“Ne nuk kemi spital rezervë e as të veçantë për Covid. Shifrat janë shqetësueses dhe nëse i kushtojmë një vëmendje të veçantë të dhënave që u paraqiten nga IKSHPK-ja i bie se 1/3 e qytetarëve që janë konfirmuar pozitiv janë të moshës mbi 50 vjeçare. Një pjesë e madhe e këtyre të infektuarve kanë mundësi që të sëmuren dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore”, ka deklaruar shefi i ShSKUK-së.