Spitalet rajonale mbushen me pacientë me COVID, 856 të hospitalizuar
Me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19, institucionet publike shëndetësore në vend janë mbushur me pacientë. Klinika Infektive tashmë nuk ka asnjë vend të lirë për qytetarët tjerë të infektuar me këtë virus, derisa të rënduar nga kjo gjendje janë edhe spitalet rajonale.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës dhe spitalet rajonale së fundmi janë mbushur me pacientë.
Klinika Infektive në QKUK tashmë nuk ka asnjë vend të lirë për qytetarët tjerë të infektuar me COVID-19, për shkak se 120 shtretërit e saj janë të zënë me pacientë.
Ndërsa, sipas raportit që Express ka siguruar nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës, në 6 klinikat e QKUK’së, ku po trajtohen pacientët me COVID-19 dhe në spitalet rajonale, sot janë të shtrirë 856 pacientë.
711 nga ta janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19.
13 nga këta pacientë janë në respiratorë, 25 janë në ventilim mekanik joinvaziv dhe 664 janë me oksigjen.
Vetëm në 5 klinikat e QKUK’së ku po trajtohen pacientët me koronavirus janë të shtrirë 346 pacientë, 11 prej të cilëve janë në respiratorë, 5 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 288 me oksigjen.
Ndërsa, në spitalet rajonale janë të shtrirë 510 pacientë.
Në Spitalin e Prizrenit janë të shtrirë 131 pacientë, në Spitalin e Gjakovës 94, në Spitalin e Pejës 79, në Spitalin e Gjilanit 98, në Spitalin e Vushtrrisë 23, në Spitalin e Mitrovicës 33 dhe në Spitalin e Ferizajt 52 pacientë.
2 prej tyre janë në respirator, 20 ventilim mekanik joinvaziv dhe 376 me oksigjen
Numër të madh të hospitalizuarve kanë pasur edhe dje institucionet publike shëndetësore në vend.
Në klinikat për COVID të QKUK’së dhe spitalet rajonale kanë qenë të shtrirë 865 pacientë, prej të cilëve 11 kanë qenë në respiratorë, 25 në ventilim mekanik joinvaziv dhe 669 me oksigjen.
Drejtorë të Shëndetësisë në komuna dhe drejtor të spitaleve rajonale kanë thënë për Express se gjendje me pandeminë së fundmi është rënduar.
Ata kanë shprehur shqetësimin që numri i të infektuarve me këtë virus për çdo ditë po është i lartë, derisa e kanë shprehur të nevojshëm vaksinimin e qytetarëve për menaxhimin e gjendjes