KUSH PO E “HARRON” 28 MARSIN 1989?!

Shoqëria dhe institucionet duhet të jenë më koshientë, që në historinë më të re të Kosovës, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë 28 marsit të vitit 1989. Asesi nuk bënë të harrojmë gjakun dhe veprën e: Muhamet Kabashit e Afrim Bytyqit nga Arbana, të Xhimshit, Xhylbehar e Hajrim Badallaj nga Zhuri dhe gjithë të rënëve tjerë në gjithë Kosovën në këtë ditë. Derisa popujt tjerë nga balta bëjnë heronjë, ne heronjët po i bëjmë baltë!

Shkruan: Bashkim Kajdomçaj

Ata që harrojnë historinë, ajo mund t’u përsëritet, thuhet jo rrallë. Ka kohë përkatësisht vite që, 28 marsi i vitit 1989 jo që po heshtet, por shumëkush (sidomos gjeneratat e reja) as që dijnë se çka në fakt ka ndodhur në atë kohë.

Para lufte edhe pse institucionet nuk ishin si këto që kemi sot, kujtonin nëpër dhoma këtë datë historike me takime të ndryshme e me vizita në familje të të rënëve.

Për gjeneratat e reja që edhe s’mund t’i fajësojmë po ua kujtoj se çfarë ndodhi në këtë ditë. Poashtu, edhe injorantëve të asaj kohe po ua ‘freskoj’ kujtesën.

Ishte kohë e vlimeve.

Serbia pas protestave nëpër krejt ish Jugosllavinë ‘në mbrojtje të shtetësisë së saj’ dhe jo rrallë edhe krijesës së Titos (Jugosllavisë), bëri çmos që të arrinte deri te suprimimi i Autonomisë së Kosovës. Serbia thoshte se po kthente elemnetët shtetëror, që kishte humbur me Kushtetutën e Kosovës të vitit 1974. Ajo po ndihmohej edhe nga vazalët vendorë, që nëpër tubime thoshin se: ’Kosova nuk humb asgjë, derisa Serbia barazohet me republikat tjera’!

Tubimi kryesor u mbajtë në Gazimestan, kur kasapi i Ballkanit Sllobodan Millosheviq kishte mbledhur rrethë një million serbë (në mesin e tyre edhe disa shqiptarë të ndershëm), duke u premtuar se Serbia do t’u dalë zot serbëve e malazezëve në Kosovë.

Mbaheshin mbledhje që nga lagjet e deri më lartë, ku haptas populli shqiptar kundërshtonte ndryshimet kushteuese. Kujtojmë protestat gjithëpopullore të nëntorit 1988 dhe grevën e minatorëve në muajin shkurt 1989.

Mirëpo, më 28 mars Serbia me tanke e dhunë bëri që Kosovës t’i merrej elementi konstituiv, si pjesë e barabartë e Federatës së atëhershme. Dhunshëm u ndërrua Kushteuta e Kosovës.

Po të njëjtën ditë me 28 mars 1989 qytetarë të shumtë protestuan në shumë vendbanime të Kosovës.

Në Komunën tonë në mbrojtje të Kushtetutës ranë po atë ditë 5 dëshmorë (tre në Zhur e dy në Arbanë) dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.

Populli i Kosovës duarthatë dhe paqësishtë kishte dalë në mbrojtje të Kushtetutës. Mirëpo, makineria serbe shkeli me dhunë gjithëçka para vetes.Vrau dhe shkatërroi gjithëçka që i doli para. Protestuesit si në Zhur e në Arbanë i vunë gjokset e njoma tankeve dhe blindave serbe që bashkë me njësitet speciale qëllonin pamëshirshëm mbi ta.

Në Beograd okupatori bashkë me kolaboracionistët e kohës pinin shampanjë, e në Kosovë derdhej gjak.

Kundërshtit sa vinin e rriteshin. Filloi dhe jeta e institucioneve të pavarura që organizuan mësimin, financat, kulturën e sportin, si mundësi e vetme e kundërshtimit e rezistencës aktive paqësore.

Vijmë tek ditët e daljes në skenë të UÇK-së. Fillimi i luftës së armatosur. Mbështetja e aleatëve dhe lufta heroike e djemëve dhe vashave çliruan vendin.

Në mesin e shumë datave historike si: demonstratat e 68-tës, 81-shit, 88-tës, greva e minatorëve e deri tek dalja në publik e UÇK-së, bashkë me rënien e shumë dëshmorëve, që me të drejtë kujtohen, sikur 28 marsi i vitit 1989 po harrohet!?

Pa dashur të minimizoj rëndësinë e gjithë këtyre ngjarjeve që kaloi populli ynë, sot 32 vjet më pas 28 marsi i vitit 1989 duhet të kujtohet me po aq pietet si gjithë datat tjera.

Jemi dëshmitarë të asaj që po duan të na ndërrojnë apo rishkruajnë historinë. Për të mos ndodhur një gjë e tillë, duhet që vetë ta shkruajmë atë. Të paktën këtë që e jetuam dhe disa nga ne jemi dëshmitarë të saj.

Por, me injorimin e 28 marsit, jo vetëm që lëndohen familjet, por ka rrezik që ajo ngjarje – histori të harrohet.

Shoqëria dhe institucionet duhet të jenë më koshientë, që në historinë më të re të Kosovës, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë 28 marsit të vitit 1989.

Asesi nuk bënë të harrojmë gjakun dhe veprën e: Muhamet Kabashit e Afrim Bytyqit nga Arbana, të Xhimshit, Xhylbehar e Hajrim Badallaj nga Zhuri dhe gjithë të rënëve tjerë në gjithë Kosovën në këtë ditë.

Derisa popujt tjerë nga balta bëjnë heronjë, ne heronjët po i bëjmë baltë!

Lavdi për jetë e mot të rënëve më 28 mars 1989!

Autori është pjesëmarës i demonstratave të atij viti dhe koordintaor rajonal i KMDLNJ në Prizren

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *