Gastronomët kërkojmë kompensim nga shteti, nëse mbyllin lokalet për 12 ditë
Mbyllja totale e sektorit të gastronomisë dhe qendrave tregtare pritet të ndodhë nga dita e martë për 12 ditë.
Ky propozim i Ministrit të Shëndetësisë ka ardhur për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me Covid-19.
Kryetari i Shoqatës së Gastronomisë në Prishtinë, Veton Zuka theksoi se nuk janë pajtuar për një mbyllje të tillë, por siç thotë ai duke parë numrin e lartë të vdekshmërisë për shkak për Covid-19 dhe zvogëlimit të kapaciteteve spitalore, do ta respektojnë këtë propozim.
Megjithatë, Zuka thekson për KosovaPress se hapja duhet të ndodhë pas 12 dite, sepse sipas tij bizneset nuk mund të mbijetojnë.
Më tej Zuka tha se presin mbështetjen nga shteti për këtë mbyllje, për paga dhe qira.
“12 ditë është mbyllje, e brenda këtyre ditëve ne veç kemi me formuar një Grup punues për me shikuar që kur të vjen koha e hapjes, me qenë një hapje më e kontrolluar dhe me rregulla strikte për me mundur me punuar verës[…]Ne kundërshtuam aty për aty në takim, mirëpo nuk e di sa mundemi të ndikojmë për ta ndaluar këtë mbyllje, sepse numrat me të vërtet janë shqetësues edhe spitalet janë në gjendje të rënduara, kështu që nuk e di sa kemi hapësirë për ta kundërshtuar ose për të bërë diçka tjeër. Po presim 12 ditë, po sakrifikohemi në një mënyrë edhe ne si biznese, dhe të shikojmë çka po ndodhë pas 12 dite. Përndryshe, hapja pas 12 ditësh gjithqysh duhet me ndodhë, sepse nuk munden me mbijetu bizneset. Kemi me bërë një hapje në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, ministrinë e Financave dhe të Tregtisë që të kompensohet ky dëm 12 ditësh për rroga dhe qira”, thotë Zuka.
Për këtë mbyllje, Zuka theksoi që nuk janë pajtuar por që situata e rënduar me Covid-19 i ka shtyrë që të sakrifikohen si biznese.
“Ne sigurisht që nuk pajtohemi për mbyllje dhe s’jemi pajtuar asnjëherë, edhe është një persekutim i radhës si zakonisht tek gastronomët, pa e pasur fajin në këtë rast gastronomët. Por, si do që të jetë numrat nuk po tregojnë mirë, po ka raste të vdekjes më shumë, si dhe shumë më shumë janë rritë edhe rastet e të infektuarve. Kjo është si pasojë e fushatës që vet[…]e bënë partitë politike. Kështu që ne sigurisht që e kundërshtojmë. Janë diskutuar shumë tema, edhe çështja ekonomike e bizneseve dhe për gjendjen në të cilën janë. Dhe kështu erdhi propozimi me bërë një mbyllje 12 ditëshe, mbyllje totale edhe për qendrat tregtare, gastronomisë edhe shkollat”, thekson ai.
Sipas këtij propozimi, Zuka tha se është lejuar që të bëhen porositë me “delivery”. Në këtë takim ka qenë i pranishëm edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.