Vjosa Osmani presidente e Kosovës
Vjosa Osmani, gruaja që njihet për qëndrime të prera, armiqësi politike dhe shumë përplasje, është zgjedhur për ta mbajtur detyrën që i kërkon krejt diçka tjetër. Prej sot, Vjosa Osmani është presidente e Kosovës, e prej saj pritet të ketë rol unifikues në mesin e skenës së përçarë politike.
Politikania më e votuar nga zgjedhjet në historinë e shtetit të Kosovës, Vjosa Osmani, më në fund, siguroi edhe votat e deputetëve për t’u zgjedhur presidente.
Vjosa Osmani u zgjodh me mbi 61 vota pro saj.
Rugovistja, që ne zgjedhjet e 14 shkurtit garoi me listë të Lëvizjes Vetëvendosje, u zgjodh presidente në rundin e tretë, pasi nuk arriti t’i sigurojë votat në dy rundet e para. Në votim morën pjesë edhe shumica e deputetëve të ish-partisë së saj, LDK-së.
Seanca për zgjedhjen e Presidentit u mbajt edhe të shtunën, por dështoi në rundin e parë, pasi nuk ishin 80 vota në kuti.
Osmani, që ka qenë deputete e zyrtare e lartë e LDK-së, ndërsa na legjislaturën e kaluar ka mbajtur pozitën e kryeparlamentares. E, edhe ushtruese e detyrës së presidentit, pasi ish-presidenti Hashim Thaçi dha dorëheqje pasi ndaj tij u ngrit aktakuzë për krime lufte, nga Prokuroria në Hagë.
Ajo njihet si opozitare e përhershme e ish-presidentit Thaçi, në çdo pozitë që ajo ka mbajtur.
Viteve të fundit ka pasur shumë përplasje me udhëheqjen e LDK-së, për shkak të qëndrimeve ndryshe prej partisë.
Në vitin 2019, ajo ishte kandidate për kryeministre nga radhët e LDK-së, por humbi zgjedhjet e kryeministër u bë Albin Kurti, si fitues i tyre.