Ditëve të fundit zvogëlohen gati përgjysmë testimet në Kosovë
Numri i testimeve për COVID-19 është zvogëluar për 41.7% ditëve të fundit në Kosovë.
Derisa më 8 prill ishin kryer 5 mijë e 502 testime, ditën e djeshme janë kryer 3 mijë e 208, ndërsa sot, 3 mijë e 788.
Me uljen e numrit të testimeve të kryera, është ulur edhe numri i rasteve të infektuara me COVID-19.
Më 8 prill të këtij viti ishin testuar 5 mijë e 502 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilave 871 kishin rezultuar pozitive.
Më 9 prill janë kryer 4 mijë e 487 testime, prej të cilave, 684 raste kanë rezultuar pozitive me virus, më 10 prill janë kryer 4 mijë e 351 testime, prej të cilave 571 kanë rezultuar pozitive, më 11 prill janë kryer 4 mijë e 413 testime prej të cilave 529 kanë rezultuar pozitive.
Më 12 prill me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 3 mijë e 208 mostra të marra, nga të cilat, 345 kanë rezultuar pozitive me virus.
Ndërsa, gjatë 24 orëve të fundit janë testuar gjithsej 3.788 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve 494 kanë rezultuar pozitive me virus./Express/