PDK: Degradimi urban i Prizrenit
Ekipi i ekspertëve për urbanizëm, planifikim urban dhe katastër i formuar nga Partia Demokratike- dega në Prizren, përcjellë në mënyrë të vazhdueshme zhvillimet urbane, apo thënë ndryshe, degradimin urbanistik që po i ndodh sot Prizrenit, qytetit historik të kulturës dhe traditës. Sot Prizreni po ngulfatet nga ndërtimet e pakontrulluara që po bëhen para syve të pushtetit dhe po e vështirësojnë jetën e qytetarëve. Prej para 5 viteve, kur ka filluar hartimi i hartave zonale e deri më sot ky projekt ende nuk është miratuar. Ekipi i ekspertëve pranë Partisë Demokratike- dega në Prizren ka analizuar projekt-propozimin e hartave zonale dhe vjen deri në këtë konkludim.
Hartat zonale të Prizrenit 2021:
Gjatë analizës së hartave zonale kemi hasur në shumë mangësi sa i përket strategjisë së zgjerimit të qytetit nëpër zonat e reja sidomos shtrirjes së qytetit me banim individual. Dendësia, përmbajtja e zonave, sipërfaqja e ndërtimit të tokës në përdhesë, rregullat e ndërtimit mbrenda këtyre zonave si dhe shumë detale tjera i bëjnë këto harta shumë problematike dhe të pazbatueshme. T’i shiqojmë në detale:
Dendësia
Strategji e padiskutueshme sot në të gjitha vendet e zhvilluara është që dendësia e banorëve është më ekologjike dhe më ekonomike sesa shtrirja e pafund e qyteteve. Fakti që Prizreni ka qenë historikisht qytet shumë i dendur, sot këto harta nuk e dëshmojnë një gjë të tillë.
Në kundërshtim me këtë trend, zona e banimit në këto harta është 14 herë më e madhe sesa Prizreni i vitit 1954. Kjo rritje marramendëse e qytetit është pa kurrfarë baze studimore dhe tejet jorealiste.
Nëse do të bëhej planifikimi i duhur, Prizrenit do t’i liroheshin mbi 650 hektarë tokë e cila mund të ishte ruajtur si tokë bujqësore, hapësirë e gjelbërt dhe hapësira të mjaftueshme për sport dhe rekreacion etj.
% e okupimit të tokës në përdhesë
Këto harta zonale janë trajtuar pa asnjë kriter ngase 95% e sipërfaqeve ndërtuese në përdhesë është vetëm 40% si në banimin individual ashtu edhe në atë të përzier dhe këtë përqindje e kanë vazhduar në të gjitha zonat.
Prizreni i sotshëm kalon në ilegalitet
Aktualisht, zonat kryesore të Prizrenit kanë koeficient ndërtimi 60-85%, kurse hartat propozojnë që i tërë qyteti të kaloj në koeficientin 40% që i bie automatikisht që të gjitha ndërtimet janë jashtë ligjit. P.sh nëse keni parcellë me shtëpi që okupon 60% të tokës momentalisht, nëse kërkoni leje të re, e drejta juaj e ndërtimit bien në 40%. Pra prona juaj humb automatikisht 20% të vlerës ndërtimore.
Përmbajtja e zonave
Përmbajtja e zonave është e gabuar. Pesë zona të banimit-individual, të mesëm dhe kolektiv kanë mundur të ndahen në 3 zona (Ndërtime të larta, ndërtime të mesme dhe ndërtime të ulta).
Shpërndarja e zonave
Shpërndarja e zonave është arbitrare dhe jo e arsyetuar. Në disa akse me trafik të dendur dhe me pozitë atraktive komerciale është e pakuptueshme insistimi në zonë banimi të ulët?!
E pakuptueshme pse banimi është ndarë në 10 nënzona? Ku qëndron dallimi në mes të zonës së veçantë të mbrojtur dhe zonës së banimit të mbrojtur?
Rregulloret për zona:
Detalet e rregullimeve mbrenda zonave janë shumë të diskutueshme e shpeshherë të paaplikueshme.
Këto harta zonale janë të gabuara në thelb. Duhet të rishqyrtohen rishtazi me strategji të re bashkëkohore dhe në vijë me zhvillimet dhe trendet e pranuara të urbanizmit. Këto harta nuk kanë marrë asnjë strategji të mirëfilltë. Këto nuk janë as adaptime të planeve sipas gjendjes ekzistuese. Këto harta do të jenë burim i konflikteve në 20 vitet e ardhshme.
Si përfundim do të duhej të ndryshohen kater aspekte:
1. Përmbajtja e zonave.
2. Organizimi i zonave në qytet.
3. Dendësia e zonave si dhe koeficienti i shfrytëzimit të përdhesës të ndryshohen.
4. Rregulloret mbrenda zonave të rimendohen.
1) Pyes drejtorin e urbanizmit zotin Kizolli dhe kryetarin e komunës zotin Haskuka se a e kanë të qartë se qfarë projekti madhorë janë hartat zonale?
2) Cila ka qenë ekipa nga komuna e Prizrenit, të cilët e kanë monituruar hartimin e hartave zonale (duke e ditur se drejtoria e urbanizmit nuk ka kapacitete për mbikqyrjen e projekteve të tilla)?
3) Cila ka qenë ekspertiza e tyre?
4) Dëgjova në konferencë për shtyp që e mbajtët ju z.Haskuka me drejtorin e urbanizmit që keni mbajtur 13 diskutime publike për 5 vite sa kanë zgjatur hartat zonale. A e dini që 13 diskutime publike për një projekt madhorë të qytetit të Prizrenit janë shumë pak sepse pas planit hapësinor të Kosovës është plani i dytë më i rëndësishëm për komunat e Kosovës, apo këto diskutime kanë qenë sa për sy e faqe?
Lus të gjithë arkitektët- urbanistët, shoqërinë civile, të gjthë ata të cilët i’a dëshirojnë të mirën qytetit, urgjentisht të reagojnë në këtë propozim-projekt sepse këto harta zonale nuk janë për të mirën e qytetit por për interesa të klanit Haskuka dhe grupeve të interesit te tij.
Zona Historike e Prizrenit
Zona historike dita-ditës po na degradohet. Qyteti i vjetër po shkatërrohet para syve të pushtetarëve, për kundër reagimit të vazhdueshëm të IMMK-së ( Instituti për Mbrojten e Monumenteve të Kulturës), zyrtarët përgjegjës, inspektoriati i ndërtimit ose nuk vepron fare ose vepron me shumë vonesë që efekti është minimal për të mos thënë krejt pa efekt.
Partia Demokratike kërkon urgjentisht nga pushteti aktual që sa me parë të vë në kontroll këtë pjesë të qytetit, pjesë e cila mbrohet me ligj të veçantë që fatkeqësisht ky ligj ka mbetur në letër. Ky ligj na obligon që sa më parë të bëhen projekte detale, siç është projekti në rrugën Marin Barleti, që për çudi ka disa vite që është hartuar si projekt por implementimi i tij po vonon.
Ne mendojmë që është momenti i fundit që të ndahen fonde dhe të fillohet me renovimin, rekonstruimin dhe rivilitarizimin e objekteve monument, le të ruhet zona historike që Prizrenit t’i kthehet panorama e bukur dhe historia arkitektonike- kulturore e saj.
Drejtoria për katastër dhe gjeodezi
Ka kohë që kjo zyrë është uzurpuar nga drejtoresha e ardhur nga Prishtina sikurse Prizreni të mos kishte ekspertë të kësaj lëmie dhe sot kjo zyrë në vend që të ishte në shërbim të qytetarëve, ajo është barikaduar nga drejtoresha të cilën na e solli kryetari Haskuka. Sinqerisht është për të të ardhur keq sesi ka mundësi një institucion siç është komuna, që ligjerisht duhet të jetë në shërbim të qytetarëve, të kthehet në një zyrë jotransparente dhe është izoluar për shërbime të cilët kanë nevojë qytetarët e Prizrenit.
Të dashur qytetarë të Prizrenit, ne e dijmë se edhe ju jeni mërzitur nga ky pushtet mospërfillës i kërkesave të juaja, ngriteni zërin e juaj qytetarë dhe thuani stop degradimit urban të qytetit të juaj.