Kosova pret nga Gjermania që liberalizimi të futet këtë muaj në agjendë
Shefja e diplomacisë kosovare Meliza Haradinaj-Stublla, deklaroi sot në Berlin se Kosova ka pritje të larta nga Presidenca e Gjermanisë për procesin e liberalizimit të vizave.
Ajo gjatë një takimi me sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë e Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer ka informuar këtë të fundit se Kosova tashmë ka filluar punën edhe me Francën dhe Holandën që sipas modelit gjerman të bashkëpunimit në nivel ekspertësh, të përmbyllin këtë proces pozitivisht.
“Në takim me sekretarin Parlamentar të Shtetit në Ministrinë Federale të Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Stephan Mayer shpreha falënderimin e Kosovës ndaj shtetit gjerman, dhe ministrit Federal Horst Seehofer për ndihmën e pandërprerë dhe bashkëpunimin për forcimin e pozicionit të Kosovës drejt epilogut pozitiv për lëvizje të lirë në BE. Theksova që Kosova ka pritje të larta nga Presidenca gjermane që agjenda e liberalizimit të vizave për Kosovën të futet në agjendë këtë muaj”, ka thënë Haradinaj-Stublla.
Për më tepër, shefja e diplomacisë kosovare ka bërë të ditur se nga Mayer ka marrë mbështetjen për bashkëpunim dhe shkëmbim të përvojave.
“Nga Mayer u sigurova që Ministria Federale e Punëve të Brendshme do të mbështesë më tej Kosovën duke ndarë eksperiencën e tyre pozitive të bashkëpunimit me Kosovën edhe me shtetet skeptike, në mënyrë që të përmbyllet me sukses vendimmarrja e liberalizimit të vizave. Sekretari Mayer shprehu mirënjohjen për progresin e Kosovës në përmbushjen e kritereve dhe se Gjermania do të jetë gjithnjë një shtet partner dhe mik për vendin tonë,” tha Haradinaj-Stublla.
Ndryshe, Kosova është vendi i fundit në rajon që nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë pa viza në vendet anëtare të Bashkimit Evropian.