30 ditë paraburgim për të dyshuarin që u kap me 35 kg drogë në pikën kufitare të Morinës
Gjykata Themelore në Prizren në një komunikatë për media ka njoftuar se Departamenti i Krimeve të Rënda, gjyqtari i procedurës – Xheladin Osmani, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje tridhjetë (30) ditë, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 31.05.2021 dhe mund të zgjasë deri më datën 30.06.2021, ndaj të pandehurit F.M., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale: blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge të nenit 267 par. 1 dhe për të njëjtën vepër penale nga neni 267 par. 2 të Kodit Penal të Kosovës.
Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit F.M., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se:
– Me datën 31 maj, duke kaluar vendkalimin kufitar Shqipëri-Kosovë, në automjetin që e drejtonte, në bagazh të automjetit kishte të fshehur 65 paketime plastike të narkotikut të llojit të dyshuar “Marihuanë”, në peshë totale prej 35.0284 kg.
– Po ashtu, i njëjti në shtëpinë e tij, kishte të fshehur në një kavanoz plastike me ngjyrë të bardhë, në peshë prej 113.3 gram, një qese të fshehur najloni ku kishte të vendosur substancë të dyshuar të llojit “Kokainë”, në formë pluhuri ngjyrë të bardhë, në peshë prej 41.5 gram, dhe katër peshore elektronike, të cilat shërbejnë për matjen e narkotikut.
Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.
Gjyqtari i procedurës duke marrë parasysh peshën e veprës penale dhe sasinë e madhe të narkotikut gjithashtu edhe rrezikshmërinë e madhe shoqërore nga vepra e dyshuar penale, e bëjnë të arsyeshme dhe të domosdoshme që ndaj të pandehurit të lartcekur të caktohet masa e paraburgimit.
Nga të lartë cekurat, gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se caktimi i paraburgimit duke u mbështetur në rrethanat e lartcekura dhe duke marrë parasysh karakterin personal të të pandehurit dhe të kaluarën e tij kriminale, masa e paraburgimit është e domosdoshme dhe e arsyeshme, për të parandaluar rrezikun e përsëritjes së veprës penale dhe për sigurimin e pranisë së të pandehurit para institucioneve të drejtësisë.
Shënim: Kundër këtij vendimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese, në Gjykatën e Apelit, ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtynë ekzekutimin e tij.