OBSH: Vaksinat, shumë efektive kundër variantit Delta
Varianti Delta i koronavirusit, i cili ka shkaktuar rritje të numrit të rasteve në të gjithë botën, mund të ketë një shkallë rezistence ndaj vaksinave të koronavirusit.
Epidemiologia e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Maria Van Kerkhove, tha se ka disa prova që tregojnë për efikasitet të zvogëluar të vaksinave kundër këtij varianti, i cili për herë të parë është identifikuar në Indi.
Por, në përgjithësi, shtoi ajo, “vaksinat mbeten shumë efektive”.
“Ky është një mesazh me të vërtetë i rëndësishëm që duam ta bëjmë të qartë. Edhe pse shohim një efektshmëri të zvogëluar, vaksinat mbeten të efektshme në zvogëlimin e sëmundjeve të rënda dhe të vdekjeve – përfshirë edhe ato nga varianti Delta”, tha Van Kerkhove.
Ky variant ka çuar në rritje të numrit të rasteve me koronavirus nga Portugalia në Rusi, ndërsa Britania, në fillim të këtij muaji, ka shtyrë për katër javë një fazë të rihapjes së ekonomisë, për shkak të tendosjes së variantit Delta.
Në Shtetet e Bashkuara, ku normat e vaksinimit janë relativisht të larta, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti Delta mund të bëhet lloji dominues i koronavirusit gjatë verës.
Infeksionet dhe vdekjet nga koronavirusi kanë rënë, për shkak të vaksinave, por në mesin e të pavaksinuarve ka prova në rritje që tregojnë se varianti Delta po merr hov.
Televizioni Bloomberg ka cituar një studim nga firma e gjenomikës, Helix, e cila ka analizuar mijëra mostra nga testet për koronavirus. Analiza ka zbuluar se rastet e variantit Delta duket se po rriten më shpejt në zonat me norma më të ulëta të vaksinimit.
Në Izrael – vendin me një nga normat më të larta të vaksinimit në botë – autoritetet shëndetësore kanë bërë thirrje për vaksinimin e adoleshentëve të moshave 12 deri në 15 vjeç, për shkak të shpërthimeve lokale të rasteve me koronavirus.
Të hënën, gati 90 persona në Izrael u konfirmuan si të sëmurë me koronavirus. Kjo është shifra më e lartë ditore që nga fundi i prillit dhe shumica e rasteve janë nga shpërthimet në shkolla.
Sipas autoriteteve në Izrael, gati një e treta e rasteve të reja gjatë javës së kaluar, kanë qenë persona të vaksinuar dhe shumë nga të infektuarit e rinj janë prekur me variantin Delta.
Drejtori i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në Izrael, Hezi Levi, tha se shumica e rasteve të reja në mesin e individëve të vaksinuar janë të lehta, por u bëri thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët e tyre adoleshentë.
Javën e kaluar, drejtorja e Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA, Rochelle Walensky, tha se derisa varianti Delta përhapet, ka shqetësime se ai mund të pësojë mutacione të tjera atje ku i shmang vaksinat ekzistuese.
Walensky tha se viruset, kur pësojnë mutacione, bëhen më të transmetueshme.
“Kjo është arsyeja pse ne po i inkurajojmë njerëzit që të vaksinohen”, tha ajo.
Çfarë dihet për variantin Delta?
Varianti Delta i koronavirusit është shfaqur për herë të parë në Indi në tetor të vitit 2020 dhe që atëherë është përhapur në më shumë se 80 vende të botës.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, në rastin e variantit Delta, ka regjistruar transmetueshmëri më të madhe, ndërsa shkencëtarët janë duke studiuar arsyet e kësaj.
Por, sipas OBSH-së, nuk ka ende të dhëna që tregojnë se Delta është më vdekjeprurëse.
Studiuesit thonë se simptomat më të zakonshme që lidhen me variantin Delta janë: dhimbja e kokës, dhimbja e fytit dhe rrjedhja nga hunda./REL