Vazhdojnë intervenimet e paautorizuara brenda Qendrës Historike të Prizrenit
Përmes një postimi në facebook, “Ec ma ndryshe” ka publikuar reagimin e saj lidhur me Intervenimet e paautorizuara brenda Qendrës Historike të Prizrenit që po vazhdojnë.
“Rasti i fundit i realizimit të punimeve pa pëlqimin e autoriteteve përgjegjëse të trashëgimisë kulturore ka ndodhur në afërsi të Minares së Xhamisë së Arastës dhe Hamamit të Gazi Mehmet Pashës, më konkretisht afër ndërtesës së Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave të Komunës së Prizrenit.
Qendra Rajonale për Trashëgiminë Kulturore në Prizren në përgjigjen e ofruar për EC-in ka njoftuar se punimet në këtë zonë të mbrojtur po realizohen pa pëlqimin e saj.
Për këtë çështje informata janë kërkuar edhe nga organet komunale të Prizrenit. DUPH ka njoftuar se po bëhen disa riorganizime brenda oborrit të DEF-it. “Drejtoria e Kulturës ka dorëzuar një projekt për grante, e për këtë jemi duke bërë disa riorganizime brenda oborrit të Drejtorisë së Financave. Në atë hapësirë do të zhvendosen dy kioskat që gjenden para Minares”, thuhet në përgjigjen e DUPH-së.
Ndërsa QRTK-Prizren më datë 18.06.2021 ka dërguar shkresë njoftuese te Inspektorati i Komunës dhe ai i Trashëgimisë Kulturore në MKRS në lidhje me zhvillimin e punimeve pa leje brenda Qendrës Historike të Prizrenit dhe në afërsi të monumenteve të trashëgimisë kulturore.
“Pas pranimit të shqetësimeve nga banorët, në lidhje me zbatimin e punimeve në afërsi të monumenteve të trashëgimisë kulturore, gjegjësisht Hamamit të Gazi Mehmet Pashës dhe Minares së Xhamisë së Evrenos Jakup Beut (Minarja e Xhamisë së Arastës), bashkëpunëtorët profesional të QRTK kanë dal në vend të ngjarjes për të identifikuar gjendjen aktuale.
Pas vlerësimit dhe shqyrtimit të gjendjes, bashkëpunëtorët e QRTK-Prizren kanë vlerësuar që punimet të cilat janë duke u implementuar janë në kundërshtim me parimet dhe ligjin e Qendrës Historike të Prizrenit, si dhe investitori për zhvillimin e punimeve nuk është i pajisur me lejen përkatëse, gjegjësisht nuk ka pëlqim nga QRTK-Prizrenit”, thuhet në shkresën e QRTK. Kjo qendër gjithashtu ka kërkuar nga inspektoratet përkatëse ndërmarrjen e masave ligjore të menjëhershme për ndalimin e punimeve të cilat janë duke u zhvilluar pa pëlqimin e QRTK.
EC përkujton se Ligji për Qendrën Historike të Prizrenit parasheh që çdo ndërhyrje në infrastrukturë brenda kësaj qendre të bëhet pas miratimit të projektit zbatues nga DUPH dhe pëlqimit nga QRTK-ja.
Duke qenë se sipas legjislacionit në fuqi, Qendra e mbrojtur historike e Prizrenit, si pronë e trashëgimisë kulturore në mbrojtje përfshihet në listën e trashëgimisë kulturore, në mbrojtje të përhershme të Republikës së Kosovës, EC i bën thirrje organeve komunale që intervenimet në këtë zonë t’i realizojnë vetëm pas marrjes së pëlqimit nga autoritetet e trashëgimisë kulturore si dhe duke i respektuar në përpikëri parimet e gjithëpërfshirjes” thuhet në këtë reagim.