Pas 2110 rasteve në ditë, qeveria do të angazhojë 1 mijë punonjës shëndetësorë për luftimin e pandemisë
Qeveria e Kosovës ka miratuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për angazhim të stafit shëndetësor shtesë për nevoja të menaxhimit të pandemisë.
Për këtë qëllim Ministria e Financave ka ndarë mbi 3 milionë euro.
Kështu u bë e ditur në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ku u morën edhe këto vendime.
Ministri i Financave Hekuran Murati ka thënë se për këtë angazhim do të ndahen mbi 3 milionë euro të cilat do të alokohen në dy faza.
Ndërkaq theksoi se do të mbështesin të gjitha vendimet që vijnë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Kemi sjellë propozim vendimin për të ndarë 3 milionë e 192 mijë e 854 euro për të mbuluar kostot e këtij angazhimi të përkohshëm. Mjetet sigurohen nga instrumenti për financim të sektorit publik për reagim emergjent ndaj COVID-19 që është kredi e ratifikuar tashmë në Kuvend. Shuma alokohen në dy faza, për fazën e parë alokohen 1 milion e 596 mijë e 427 euro, kurse për fazën e dytë mund të bëhet me kërkesë të ministrit të Shëndetësisë që të alokohet shuma shtesë nëse është e nevojshme”, ka thënë Murati.