Digjet nga zjarri stalla e fermerit zhurjan, Refki Ademaj
Mbrëmë është djegur stalla dhe ushqimi për bagëti i fermerit, Refki Ademaj nga Zhuri, duke i shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Rastet e shpërthimit të zjarreve në stalla të bagëtive janë shpeshtuar kohëve të fundit në komunën e Prizrenit, duke iu shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale fermerëve por edhe duke djegur dhe bagëti.
Një fat të keq e kishte mbrëmë edhe fermeri nga Zhuri, Refki Ademaj, të cilit i ka shpërthyer zjarrë në mesnatë në stallën ku mbante ushqim për bagëti, e më pas duke u përhapur me shpejtësi edhe në objektin ku i mbante 20 krerë lopë dhe viça, të cilët për fat të mirë ia doli t’i shpëtojë bashkë me shokë dhe njerëz vullnetmirë ndërsa në shuarjen e zjarrit ishin angazhuar edhe zjarrfikësit prizrenas, rrëfen ai.
Fermeri Ademaj, njofton se në stallën ku ka shpërthyer zjarri ka patur sasi të shumta të ushqimit për bagëti e cila tërësisht është djegur, si dhe pajisje të tjera teknike që i kishte blerë me shumë mund.
Sipas tij, dëmet nga zjarri i shkaktuar janë rreth 20 mijë euro, dhe se një gjë e tillë e ka dëmtuar edhe mirëqenien e familjes së tij, e cila siguronte të mira materiale vetëm nga shitja e qumështit.
Lidhur me rastin, ai thotë se është informuar edhe policia e cila i është përgjigjur thirrjes së tij, ndërsa shpreson se institucionet përkatëse do të verifikojnë dëmin e shkaktuar nga zjarri dhe do të përfitojë kompensim nga ato.
Deri sa të mund të kompensohet ky fermer i vyeshëm dhe të bëj rindërtimin e objektit, ai do të detyrohet që bagëtinë t’a sistemojë tek një fermer tjetër , njoftoi në fund fermeri fatkeq, Refki Ademaj./Tv Prizreni