LDK: Paska dalë nga zgafella (zyrja e tij), Kryetari Haskuka!
Dega e LDK-së përmes një Komunikate thotë se Mytaher Haskukës “në fund të mandatit i ka dalë gjumi e po provon me ju qitë hi syve qytetarëve, se gjoja po punon e po interesohet për mirëqenjen e tyre”.
Komunikata e plotë:
Në fund të mandatit i ka dalë gjumi e po provon me ju qitë hi syve qytetarëve, se gjoja po punon e po interesohet për mirëqenjen e tyre.
Kryetar Mytaher Haskuka, shko vizitoje edhe lagjen Tusuz, shihe a është realizu një projekt që nuk di kush me tregu se çka u ba me të, gypa uji të vendosur së koti e uji nuk është shtuar asnjë pikë qysh se e ke marrë pushtetin.
Informohu që kompania që ka groposur e futur diçka në kanalin e hapur që sa javë, në kulmin e sezonës, ka lënë mbrapa asfaltin e prerë e të coptuar dhe tash gjysëm rruga në shfrytëzim i rrezikon edhe këmbësorët dhe ata që e frekuentojnë me automjete.
As ujë nuk erdhi në atë pjesë qyteti që nuk ka ujë fare e edhe rruga e ndërtuar para se ju të vini në pushtet, u shkatërrua pa mëshirë.
Qytetarët që ishin pa ujë, tash i latë edhe pa rrugë funksionale!
Shëtit rreth e rrotull ndoshta i sheh edhe gropat tek Universiteti i Prizrenit.
Ato gropa, kryetar, që 4 vite janë aty dhe nuk i keni parë as ju, e as askush nga administrata juaj, ashtu siç nuk i shihni as gropat tjera gjithandej nëpër rrugët e qytetit, ndoshta edhe i shihni, por nuk e merrni mundin të bëni asgjë.
– Shihe njëherë edhe parkun e qytetit të mbushur me mbeturina e pa u respektuar asnje pikë e kontratës për menaxhim publiko-privat, si p.sh; – motoristët e biçiklistët që u ndalohet hyrja, e që e kanë bërë të zakonshëm qarkullimin nëpër rrugët shëtitore të parkut si të ishin duke qarkulluar e bërë gara nëpër rrugica dedikuar atyre.
– E meqenëse paska dalë andej kah rruga e tranzitit të vjetër, a i ke pa pusetat e hapura dhe ndriqimin komplet jo funksional që rrezikojnë jetën e këmbësorëve dhe ngasësve të automjeteve gjatë orëve të mbrëmjes. Janë tri rrethrrotullime në këtë rrugë pa ndriqim që paraqesin rrezik të lartë për këdo që nuk e njeh rrugën..a të ra në sy ky fakt, apo ti nuk sheh çka nuk do me pa?!
Gjithsesi, mirë paske bërë që paske vendosur ne dalë nga zyra, shëtit ditë e natë dhe shihe dështimin tënd e të komplet administratës tënde në çdo skaj të komunës së Prizrenit dhe bëhu gati për të ikur nga aty se e keni degraduar Prizrenin si mos më keq!
Prizren
21.08.2021