Kosovë, 238 vdekje gjatë muajit gusht nga COVID-19
Numri i lartë i infektimeve, rritja e rasteve të vdekjes dhe mbingarkesa e spitaleve si pasojë e shfaqjes së variantit “Delta” të COVID-19 e karakterizuan muajin gusht të këtij viti në Kosovë.
Si asnjëherë më parë, numri i infektimeve gjatë këtij muaji është regjistruar në shifrën rekord prej 36 mijë e 461 rastesh, që e bën muajin gusht si periudhën me më së shumti infektime që nga shfaqja e pandemisë COVID-19 në mesin e muajit mars të vitit të kaluar.
Numri i lartë i infektimeve shtoi edhe rastet e vdekjeve. 197 persona kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 vetëm gjatë periudhës 20 gusht deri më 31 gusht.
Por, me gjithë rritjen e infektimeve gjatë këtij muaji ajo që vërehet është numër më i ultë i viktimave krahasuar me muajt paraprakë kur ishin regjistruar numër më i ultë i infektimeve dhe me më shumë viktima.
Në muajin gusht nga më shumë se 36 mijë të infektuar u regjistruan 238 vdekje si pasojë e COVID-19.
Në nëntor të vitit 2020 nga afër 20 mijë infektime ishin regjistruar 335 vdekje ndërsa në dhjetor të vitit 2020 nga afër 12 mijë raste ishin 319 vdekje si pasojë e COVID-19.
Në muajin mars të këtij viti ishin regjistruar rreth 21 mijë infektime dhe 273 vdekje ndërsa në prill po të këtij viti ishin afër 14 mijë raste të reja ndërsa 289 viktima.
Ekspertë të shëndetësisë thonë se vaksinimi i një pjese të madhe të personave në moshë të shtyrë ka parandaluar edhe rritjen e numrit të viktimave krahasuar me periudhat paraprake.
Gjatë muajit gusht është rritur edhe numri i testimeve. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka kryer 247 mijë e 175 testime për COVID-19 dhe raporti mes testimeve dhe rasteve të reja gjatë muajit gusht është 14.7 për qind pozitiv.
Aktualisht në Kosovë janë 26 mijë e 886 raste aktive nga 539 sa ishin me një gusht. Ndërkaq të shëruar gjatë periudhës së muajit gusht janë regjistruar 10 mijë persona.
Përhapja e madhe e virusit ka bërë që të shtohet edhe ngarkesa nëpër spitale.
Me një gusht në spitalet dhe klinikat e Kosovës ishin të shtrirë 102 pacientë të infektuar me COVID-19 prej tyre 59 me oksigjeno-terapi dhe dy në gjendje të rëndë.
Por ky numër është krejt ndryshe më 31 gusht. Sipas Shërbimit Spitalor Klinik në spitalet dhe klinikat e Kosovës janë të shtrirë 1 mijë e 120 pacientë me COVID-19 prej tyre 1 mijë e 60 me oksigjeno-terapi ndërsa 60 në gjendje të rëndë shëndetësore.
Kosova po vazhdon vaksinimin e popullatës dhe gjatë muajit gusht numri i të vaksinuarve është rritur ndjeshëm.
Autoritetet thonë se synimi i tyre është që deri në fund të vitit të vaksinohen 60 për qind e 1 milionë e 260 mijë qytetarëve të moshës mbi 18 vjeç.
Më tre gusht në Kosovë ishin të vaksinuar 311 mijë e 814 qytetarë prej të cilëve 155 mijë e 907 me dy doza të vaksinës.
Ndërsa më 31 gusht janë regjistruar 553 mijë qytetarë të vaksinuar prej të cilëve 282 mijë me dy doza të vaksinave.
Sipas të dhënave të përpunuara nga Zëri i Amerikës aktualisht në Kosovë janë vaksinuar 43.8 për qind e popullatës mbi 18 vjeç prej të cilëve 22.3 për qind me dy doza të vaksinës.