Shaqir Totaj me Klubin e Atletikës: Zotohem se si kryetar i ardhshëm i Prizrenit do të jem gjithnjë pranë sportistëve
Kandidati për Kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së Shaqir Totaj, sot i shoqëruar nga Kushtrim Çoçaj, Jenuz Kolloni, Elona Hoxha dhe Resmi Kryeziu, kandidatë për Kuvendin e Prizrenit në zgjedhjet e 17 tetorit, kanë vizituar Klubin e Atletikës “Prizreni”, që drejtohet nga trajneri i suksesshëm, Bajram Duja. Delegacioni i PDK-së në krye me kryetarin e ardhshëm të Prizrenit, është njoftuar nga udhëheqësit e këtij klubi, që në fakt vajzat e djemtë e këtij klubit janë kampionët e krenaria e qytetit.
Kupat e medaljet e fituara janë histori e suksesit të sportit prizrenas. Puna e pa ndalur e arritjet e shumta të tyre meritojnë përkrahjen e organeve komunale. Në vazhdim, kryetari Totaj, u njoftua edhe me sfidat, me të cilat përballet ky klub. Gjithashtu u tha se përkundër sukseseve dhe të arriturave, si të gjitha klubet, edhe ky klub nuk ka qenë i trajtuar mirë nga qeverisja e kaluar. Andaj, shpresojmë se me ardhjen tuaj në krye të Komunës së Prizrenit, klubet sportive dhe aktivitetet e të rinjve do të përkrahen fuqimisht, – thanë udhëheqësit e klubit dhe të pranishmit gjatë pritjes.
Ndërsa Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, në fjalën e tij, pasi ka përgëzuar për sukseset e arritura, ka theksuar se “Unë si ish-sportist e menaxher i klubeve të qytetit, jam në dijeni me të gjitha problemet e sfidat me të cilat përballet sporti ynë. Prandaj zotohem se si kryetar i ardhshëm i Prizrenit do të jem gjithnjë pranë sportistëve tanë duke i ndihmuar e përkrahur financiarisht drejt arritjeve të reja. Ne do ta krijojmë një fond të posaçëm për sportin, me anë të të cilit do t’u dalim nevojë të gjitha klubeve, por edhe sportistëve individual, që sa më fuqishëm ta prezantojnë Prizrenin në botë.” Bashkë do ta rikthejmë lavdinë e sportit të Prizrenit, ku sporti do të jetë shpirti i të rinjve me çka do të mburren të gjithë. Andaj, për ta bërë këtë realitet, kërkojmë mbështetjen tuaj, që më 17 tetor të dilni për të votuar dhe për ta përkrahur 177, këtë numër të shpresës, që nesër vota juaj të kthehet në përkrahje dhe mbështetje të parezervë.
Të pranishmit në këtë takim, udhëheqës e sportistë, ka premtuar se as vota e as angazhimi i tyre nuk do të mungojë për kryetarin e ardhshëm të Prizrenit Shaqir Totajn.