ASK konfirmon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka njoftuar se norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind, duke dëshmuar kështu rritjen e çmimeve që ka ndodhur kohëve të fundit.
Sipas ASK-së rritje të çmimeve ka pasur në produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.
“Bukë dhe drithëra me 1.5 për qind, mish me 1.9 për qind, qumësht, djathë e vezë me 7.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 28.2 për qind, perime me 19.7 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, pijet alkoolike me 3.8 për qind, duhan me 2.7 për qind, gaz me 10.6 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 4.6 për qind, karburantet dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 26.7 për qind, shërbime për transport me 2.2 për qind, shërbime telefonike dhe të telefaksit me 20.3 për qind, pushime të organizuara turistike me 8.9 për qind, shërbime hoteliere me 2.3 dhe shërbime financiare me 6 për qind”, shkruhet në raport.
Tutje në raport shkruhet se një litër vaj ushqimor në muajin shtator 2020 kushtonte 1.06 euro, ndërsa një vit më vonë ky produkt shitet për 1.55 euro.