Fillon procesi i rivlerësimit për asetet e Trashëgimisë Kulturore në regjionin e Prizrenit
Në zbatim të planit të punës për vitin 2021 Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, ka filluar me procesin e rivlerësimit dhe inventarizimit të objekteve arkitektonike të Trashëgimisë Kulturore në Prizren dhe në 5 komunat e rajonit të Prizrenit.
Drejtori i Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, Samir Hoxha gjatë ditës ka parë nga afër ecurinë e këtij procesi, duke theksuar se inventarizimi dhe dokumentimi i Trashëgimisë Kulturore është një proces dinamik, i cili zhvillohet në mënyrë sistematike, andaj në mënyrë që të krijohet një pasqyrë e qartë e gjendjes së aseteve të Trashëgimisë Kulturore, duhet që ky proces vazhdueshëm të bëhet nëpërmjet vizitave në terren.
Qëllimi kryesor i këtij projekti është vazhdimi i evidentimit të gjendjes aktuale të monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të paluajtshme në Rajonin e Prizrenit, si dhe evidentimi i objekteve të tjera të cilat nuk janë evidentuar më parë në listën e trashëgimisë kulturore të përhershme dhe të përkohshme të MKRS-së ka theksuar drejtori Hoxha.
Projekti në fjalë ka filluar të zbatohet në fillim të muajit tetor 2021 dhe do të zgjasë deri në muajin dhjetor të këtij viti.