STUDENTË E TË RINJ PRIZRENAS PASTROJNË AMBIENTIN NË LIQENIN E VËRMICËS
Sipas një projekti nga studentët dhe profesorët e Fakultetit të Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit të Universitetit ” Ukshin Hoti”, të shtunën është bërë pastrimi nga mbeturinat e ndryshme në Liqenin e Vërmicës.
Gëzim Sertollaj, i është bashkuar aktivitetit të organizuar nga studentët dhe zyrtarët e Fakultetit të Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit të Universitetit ” Ukshin Hoti”, që vullnetarisht të marrë pjesë në pastrimin e ambientit përreth Liqenit të Vërmicës, njëkohësisht duke apeluar tek të gjithë që mos të hudhin mbeturina dhe të anagzhohen në ruajtjen e mjedisit përfshirë edhe këtë zonë të bukur të Prizrenit.
Menaxherja e këtij projekti për pastrimin e Liqenit të Vërmicës, Erleta Kryeziu, tha se niveli i papastërtisë në këtë zonë turistike është tejet shqetësues, andaj kemi paraparë që përveç pastrimit të sensibilizojmë qytetarët dhe jo vetëm, që të mbajmë të pastër ambientin që na rrethon përfshirë edhe liqenet dhe lumenjtë.
Këtij aksioni i ishte bashkuar pa përtesë edhe e reja prizrenase, Puhiza Shemsidini, e cila gjithashtu ndjehet e shqetësuar me praninë e madhe të mbeturinave në këtë zonë të veçantë të Prizrenit.
Ndërkaq, Faruk Bojaxhi, profesor në Fakultetin e Shkencave të Pyjeve dhe Mjedisit në Universitetin “Ukshin Hoti”, tregon për detajet e këtij projekti ambiental dhe shton se është shqetësues fakti që kjo zonë ka ndotje të vazhdueshme, andaj qytetarët por edhe institucionet duhet të jenë më aktive në ruajtjen e mjedisit në përgjithësi.
Ndryshe, përveç këtij aktiviteti në pastrimin e Liqenit, në kuadër të këtij projekti pritet të bëhet edhe shpërndarja e fletëpalosjeve vetëdijuese për ta ruajtur ambientin./Tv Prizreni