Gastronomët kërcënojnë me votë Qeverinë Kurti
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i lehtësojë masat anti-COVID për ta, në të kundërtën e “kërcënuar” atë më votë në balotazhin e 14 nëntorit.
Kjo shoqatë, përmes një statusi në Facebook ka thënë se rastet pozitive me koronavirus kanë rënë për tokë, dhe se kjo duhet të bëjë që Qeveria t’i lejojë të punojnë klubet e natës e sallat e dasmave e po ashtu tu zgjatet orari i muzikës dhe të rritet kapaciteti i punës në hapësirat e brendshme të bizneseve të gastronomisë.
“Të punojmë me strategji dhe eksperiencën me pandemi e kemi tash e 609 ditë, ndërsa punën që po e shohim në këtë drejtim po lë shumë për të dëshiruar! Për fund, me pak fjalë po e shohim që duke u marrë me zgjedhje na keni harru neve, ato takimet që i kemi pasë me të gjithë kandidatët për kryetarë të komunave nuk do të kenë ndikim përderisa kur duhet dhe mund të veproni, ju nuk bëni asgjë. Prandaj KUJDES SE JEMI SHUMË! Pra, PRESIM VENDIMIN TUAJ NESËR, DHE JU TREGOJMË VENDIMIN TONË ME 14 NËNTOR!”, thuhet në reagimin e Gatronomëve në Facebook.
Sipas tyre, Qeveria duhet të miratojë masa financiare për t’i ndihmuar këto biznese, nëse nuk ua lejon punën.
“Rrjedhimisht, ose i hapni bizneset që nuk po lejohen të punojnë (klubet e natës dhe sallat e dasmave) në pajtushmëri me protokolet shëndetësore të bazuara në teknologji duke i lejuar vetëm të vaksinuarit dhe të pajisurit me dëshmi të futen brenda, ose të miratoni masa financiare për ti ndihmuar këto biznese të cilat fare nuk po punojnë! Bizneseve të gastronomisë të ju zgjatet orari i muzikës në përputhje me atë të punës; Të rritet kapaciteti i punës në hapësira të brendshme në shërbimet e HORECA-s; Të hiqet ora policore, ose të mos ketë për personat e vaksinuar dhe ata që kanë dëshmi”, thuhet në reagim.