Supremja merr vendim për Dragashin: Përsëritet vetëm votimi nga jashtë Kosovës
Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim që të përsëritet procesi i votimit nga jashtë për komunën e Dragashit.
Kështu thuhet në aktgjykimin e kësaj gjykate.
“Urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që brenda Kornizës Ligjore në fuqi të organizojë përsëritjen e Procesit të Votimit nga jashtë, për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të komunës së Dragashit”, thuhet në aktgjykim.
Në pikën e dytë të këtij aktgjykimi thuhet se “refuzohet pjesa tjetër e ankesës së kandidatit Bexhet Xheladini nga subjekti politik Lidhja Demokratike e Kosovës dega në Dragash që votat nga jashtë (me post) të përfshihen në rezultatin final të zgjedhjeve, për raundin e dytë për kryetar të Komunës së Dragashit”.
Supremja thekson se vendimi i PZAP-it mbetet në fuqi.
Kujtojmë se KQZ nuk kishte certifikuar rezultatet e zgjedhjeve lokale të ruandit të dytë në komunën e Dragashit, pasi që PZAP mori vendim për anulimin e të gjitha fletëvotimeve të dorëzuara përmes postës për kryetar të kësaj komune.
Kjo erdhi pasi kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shaban Shabani më 17 nëntor bëri ankesë në PZAP pasi pretendonte se në raundin e dytë të zgjedhjeve ka pasur manipulime të cilat kanë cenuar integritetin e procesit zgjedhor, duke devijuar vullnetin e shumicës së zgjedhësve.