Rivotimi për Dragashin, vjen një njoftim me rëndësi për votuesit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të zgjedhjeve, për kryetar të Komunës së Dragashit.
Përmes një komunikate për media, KQZ ka bërë të ditur se fletëvotimet duhet të pranohen më së largu deri më 13 dhjetor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit e regjistruar nga jashtë Kosovës për Zgjedhjet në Komunën e Dragashit se ka filluar periudha e përsëritjes së votimit për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit. Fletëvotimet duhet të pranohen më së largu nga KQZ-ja deri më 13 dhjetor 2021”, thuhet në njoftim.
Tutje KQZ ka bërë me dije se të drejtën për të votuar përmes postës për zgjedhjet në Dragash e kanë vetëm 1 mijë e 90 votuesit jashtë Kosovës, të cilët janë regjistruar nga periudha 10 korrik deri më 18 gusht të këtij viti.
“Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, thuhet në njoftim.
KQZ ka njoftuar se meqenëse të gjithë votuesit e regjistruar nga kjo komunë si votues jashtë Kosovës kanë aplikuar përmes e-mailit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka njoftuar personalisht përmes e-mailit për periudhën e votimit dhe për detajet tjera.
Fletëvotimi, procedura dhe çështjet që duhet t’i kenë parasysh votuesit janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së, në pjesën Shërbimet e KQZ-së – Votimit përmes postës, apo në linkun direkt: https://www.kqz-ks.org/sherbimet-per-votuesit/votimi-me-poste.