Fletëvotimet nga disapora për Dragashin: Ky është numri i pakove me fletëvotime që pranoi KQZ-ja
332 pako me fletëvotime nga diaspora për Komunën e Dragashit ka pranuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka treguar se të drejtë vote përmes postës në Dragash kanë 1 mijë e 90 votuese jashtë Kosovës. Ai ka bërë të ditur se do të pranojnë fletëvotime deri më 13 dhjetor.
“Është duke vazhduar periudha për përsëritjen e votimit nga jashtë Kosovës për raundin e dytë të Zgjedhjeve për Kryetar të Komunës së Dragashit, e cila ka filluar më 29 nëntor. Deri më tani, KQZ ka pranuar 332 pako të supozuara me fletëvotime. Duke u mbështetur në ligj, KQZ do të pranojë fletëvotime më së largu deri më 13 dhjetor. Të drejtën për të votuar përmes postës e kanë vetëm 1,090 votuesit jashtë Kosovës të komunës së Dragashit, të cilët janë regjistruar si votues jashtë Kosovës gjatë periudhës 10 korrik – 18 gusht 2021”, tregoi Elezi për kp.
Me votat nga jashtë Xheladini kishte përmbysur rezultatin në balotazh ku garon me Shaban Shabanin e PDK-së.
Votimi përmes postës për Dragashin nis më 29 nëntor pasi që Gjykata Supreme urdhëroi KQZ-në që të organizojë përsëritje të votimit nga diaspora për kryetar të Dragashit.
Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ishte ankuar në Supreme, pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa (PZAP) kishte vendosur të anulonte tërësisht votat nga jashtë.
Supremja pranoi pjesërisht ankesën e kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryetar të Dragashit, Bexhet Xheladini, ndërsa ka vendosur që të përsëritet votimi nga jashtë, ka reaguar ndaj kërkesës së Xheladinit që votat nga diaspora të përfshihen në rezultatin final të raundit të dytë të zgjedhjeve në këtë komunë.
Votat e diasporës në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale të 14 nëntorit kishin ndryshuar rezultatin zgjedhor në Dragash, ku pas numërimit të votave i pari në garë doli Bexhet Xheladini nga LDK, kurse me vota të rregullta kishte fituar kandidati i PDK-së, Shaban Shabani.