Kriza energjetike/Rritet çmimi i druve, ky është arsyetimi i shitësve
Çmimi i druve është rritur sivjet sikurse edhe i shumë produkteve tjera.
Një metër i kësaj lënde djegëse në nëntor kushtoi 45 euro.
E sasia e ngjashme në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar më lirë, 39 sosh .
Shtrenjtimin prej 6 eurosh e ka evidentuar Agjencia e Statistikave të Kosovës.
Megjithatë, shitësit e druve arsyetohen.
Njëri ka thënë se rritja e çmimeve të produkteve tjera është manifestuar edhe me rritjen e çmimit të druve.
“I kanë rrit çmimet e krejt produkteve tjera, po i rrisim edhe na. U rrit çmimi i benzinës. S`mundemi me punu me humbje na”, theksoi një shitës , që deshi të mbesë anonim.
Një tjetër këtë e lidh me shpenzime të tjera.
“Nuk e kemi malin afër ku i prejmë, po duhet me pagu dikënd me i bart drutë prej malit tek pllaci, me i pre – po ka harxhime. Tani po duhet me e rrit çmimin normal”, theksoi shitësi.
Shtrenjtimi i kësaj lënde djegëse, që kryesisht përdoret për ngrohje, po e rëndon jetën e qytetarëve.
E telashet shtohen edhe më, pasi edhe energjia elektrike, që është alternativa tjetër që përdoret për të njëjtin qëllim nga qytetarët, po kushton po ashtu jo pak.
Shto këtu edhe kërkesën e qeverisë e cila ka kërkuar kursimin e saj shkaku i krizës energjetike globale dhe përdorimin e alternativave tjera për ngrohje.
Të tillat mungojnë.
Shitja e qymyrit, që ishte njëra prej tyre, në kryeqytet është ndaluar para katër vjetësh.