Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve të kompanisë “Eko Regjioni”
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve S.Sh. dhe N.B., në cilësi të personave zyrtarë, për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Bëhet fjalë për dy zyrtarë të kompanisë rajonale të Mbeturinave Eko regjioni.
“Sipas aktakuzës, të akuzuarit si persona zyrtarë, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar nuk i përmbushin detyrat zyrtare e pastaj i tejkalojnë autorizimet zyrtare me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojnë dëm tjetrit, në atë mënyrë që i akuzuari S.Sh., – në cilësi të menaxherit të K.R.M. ‘Eko-regjioni’ në Prizren–Njësia në Dragash, më 27.08.2019, i bënë kërkesë të akuzuarit N.B., – në cilësinë e kryeshefit ekzekutiv të K.R.M. ‘Eko-regjioni’ në Prizren, që jashtë procedurave të prokurimit të bëhet shtyrja e mbeturinave në deponinë sanitare ‘Trokan’ në Dragash, të cilën kërkesë ky i fundit e miraton më 28.08.2021, me ç’rast kompanisë K.R.M. ‘Eko-regjioni’ në Prizren, i shkakton dëm material prej 2.700 euro”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelorë në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda.
Aktakuza thotë se në këtë mënyrë, në bashkëkryerje S.Sh., dhe N.B. kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit për veprën penale për të cilën akuzohen, të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim.