ZRRE pritet të publikojë tarifat e reja të rrymës në muajin shkurt
Shtrenjtimi i energjisë elektrike dhe rikthimi i bllok-tarifave janë vetëm disa kërkesa që Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është duke i shqyrtuar për strukturën e re tarifore.
Të dhënat e detajuara rreth kësaj strukture, ZRRE paralajmëron se do t’i bëjë publike në fillim të muajit shkurt.
“Shpresojmë që raportet përfundimtare të publikohen sapo ekspertët e ZRRE-së t’i analizojnë të gjitha të dhënat. Të gjitha palët do të njoftohen në kohën kur raportet do të bëhen publike”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së dërguar Radios Evropa e Lirë.
Në muajin dhjetor, ky institucion – pas kërkesave të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) – ka nisur të bëjë shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike.
Ky shqyrtim është thënë se ka për qëllim të reflektojë mbi çmimet e ngritura të importit të rrymës, si pasojë e krizës globale energjetike.
ZRRE bën të ditur se tarifat që do të përcaktohen në këtë shqyrtim, do të aplikohen për një vit.
Kjo lë të kuptohet se shqyrtimi i rregullt i tarifave, që zakonisht bëhet në prill të çdo viti, eliminohet.
ZRRE nuk jep ndonjë të dhënë se sa mund të shtrenjtohet rryma. Por, Kompania Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) ka kërkuar tashmë që rritja të jetë 7 për qind.
Konsumatorët e Kosovës aktualisht paguajnë 6.75 centë për kilovat në orë.
Rikthimi i bllok-tarifave, mundësi për kursim të energjisë elektrike
Instituti për Politika Zhvillimore në Kosovë (INDEP) ka kërkuar nga ZRRE-ja rikthimin e bllok-tarifave dhe jo rritje të çmimit të rrymës.
Bllok-tarifat kanë qenë pjesë e strukturës tarifore të energjisë elektrike në Kosovë nga viti 2006 deri në vitin 2017.
Sipas tyre, kur një ekonomi familjare ka shpenzuar më shumë se 600 kilovatë rrymë në muaj, çmimi për të ka qenë më i lartë në krahasim me familjet që kanë shpenzuar nën 600 dhe 300 kilovatë në muaj.
ZRRE i ka hequr ato rreth pesë vjet më parë.
“Bllok-tarifat konsiderohen nga konsumatorët si të komplikuara për t’u kuptuar”, ka thënë ZRRE në atë kohë.
Sipas INDEP-it, rikthimi i bllok-tarifave është një mundësi e mirë për kursimin e energjisë elektrike.
“Ne konsiderojmë që një strukturë tarifore, që bazohet në konsum të energjisë, do të bënte që të mos kemi shtrenjtim të energjisë për disa kategori që nuk shpenzojnë shumë”, thotë Dardan Abazi, ekspert i politikave të energjisë në INDEP.
“Pra, për këto kategori nuk duhet të ketë rritje të çmimit. Por, një çmim i ri duhet të ndodhë në kategoritë e familjeve që shpenzojnë më shumë energji, mbi 600 kilovatë, apo mbi 1,000 kilovatë”, thotë Abazi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas një analize të INDEP-it të bërë në kohën kur aplikoheshin bllok-tarifat, qytetarët e kanë kursyer energjinë elektrike.
Abazi thotë se në atë kohë, mbi 81 për qind e konsumatorëve nuk kanë shpenzuar më shumë se 600 kilovatë në muaj.
Sipas INDEP-it, struktura tarifore, që ka ndryshuar në vitin 2017, ka nxitur konsumatorët që të shpenzojnë më shumë energji elektrike, duke filluar përdorimin e saj edhe për ngrohje.
Rikthimin e bllok-tarifave e kërkon edhe KEDS-i, duke thënë se kjo strukturë tarifore do ta lehtësonte sistemin, pasi që konsumatorët do të ngroheshin më pak me rrymë.
KEDS, në listën e shpenzuesve më të mëdhenj të energjisë elektrike në vitin 2021, ka identifikuar ngrohjen qendrore me rrymë dhe bojlerin.
Amvisëritë në Kosovë mund të kontrollojnë shpenzimin e rrymës në ueb-faqen e KESKO-së, pasi të regjistrohen me kodin e konsumatorit që figuron në faturë.
Në fund të vitit të kaluar, konsumatorët në Kosovë janë përballur me reduktime të ashpra të energjisë elektrike, por kjo situatë, sipas KEDS, është stabilizuar.
Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, thotë për Radion Evropa e Lirë se me ftohjen e motit, kërkesat për energji elektrike janë rritur.
Për të përmbushur nivelin e konsumit, i cili më datën 11 janar ishte 1232 megavatë në orë, Buzhala thotë se janë duke importuar energji elektrike mbi 500 megavatë dhe atë me çmime të larta.
“Çmimet e importit kanë qenë në rënie nga data 24 dhjetor, 2021, por në dy ditët e fundit kanë filluar të rriten. Varet nga kontrata që realizohet, por, për momentin, çmimi i energjisë elektrike për megavat shkon deri në 270 euro”, thotë Buzhala.
Importi i energjisë elektrike është i pashmangshëm, pasi që termocentralet në Kosovë aktualisht nuk po arrijnë të prodhojnë më shumë se 500 megavatë energji elektrike në orë.
Një nga arsyet për nënprodhim është vjetërsia me dekada e termocentraleve.