Bordi i ZRrE-së: Kërkesa e KEDS për rritje të çmimit të energjisë është ende në shqyrtim
Kryesuesi i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Ymer Fejzullahu, ka thënë sot para mediave se ende janë duke shqyrtuar kërkesën për rritjen e çmimit të energjisë prej 7 për qind, kërkesë kjo që iu ka shkuar nga vet KEDS-i në dhjetor të vitit të kaluar.
Sipas tij, kërkesa e KEDS-it pas shqyrtimit nga ana e ZRRE-së, do të jetë në diskutim publik për dy javë, ku secili institucion i përfshirë do ta ketë të drejtën të japë mendim lidhur me këtë çështje.
“Në ueb faqen e ZRrE janë kërkesat e të licencuarve për shqyrtim të jashtëzakonshëm, aty ka një kërkesë për rritje të tarifave të energjisë elektrike. ZRrE e ka për obligim, si institucion i pavarur të shqyrtoj dhe vlerësoj aplikacionet e të licencuarve dhe pas shqyrtimit do të publikojmë”, tha Fejzullahu para mediave.
Nga ZRrE-ja u konfirmua se tashmë është hapur shqyrtimi i jashtëzakonshëm, dhe se aplikacionet janë publike dhe mund të shihen se sa është kërkesa për rritje krahasim për vitin e kaluar.
Derisa Fejzullahu tha se kërkesa për shqyrtim është e jashtëzakonshme, për 45 ditë pritet të përfundojë gjithçka.
“Shqyrtimi i jashtëzakonshëm, maksimumi zgjat 45 ditë ku ky proces duhet të përfundoj. Ne jemi në brenda afateve jemi duke bërë përpjekje që ky proces të përfundoj brenda afateve”, shtoi ai.
Gjithashtu, Fejzullahu tregoi edhe pikat e miratuara në mbledhjen e parë të Bordit të ZRRE-së për këtë vit, ndër të cilat ishte edhe miratimi i parametrave herc të furnizuesit të shërbimit universal të energjisë që është KESCO.
“Parametrat herc për furnizuesin me obligim të shërbimit universal në këtë rast është KESCO. Këta parametra janë për periudhë 3 vjeçare që përcaktohen dhe do të mbesin në fuqi për periudhën 5 vjeçare”, tha tutje ai.
Në këtë mbledhje Bordi, po ashtu janë miratuar edhe disa kërkesa të bizneseve për panele solare për vetëkonsum.