KRYESIA E KOMITETIT KRAHINOR TË LIDHJES SË KOMUNISTËVE TË KOSOVËS VEPRONTE SI NJË NDERMARRJE E PËRBASHKËT KRIMINALE
Kush ishte në Kosovë urdhërues i vrasjeve të disidentëve politik në emigracion?
Gazeta Zyrtare e RSFJ dhe Ndërmarrja e Përbashkët Kriminale në Kosovë.
Shkruan:Azem Ramadani
“Ata pak vetë që ishin shumë të informuar e kanë ditur, ndërsa mua personalisht Josip Perković(ish drejtues i lartë i UDB-shënim i A.R) më siguroi një kopje të Gazetës Zyrtare Sekrete të RSFJ-së, ku thuhet qartë se kreut të partisë së çdo republike socialiste ose krahinë autonome i lejohet të urdhërojë(porositin) vrasjen vetëm të qytetarëve të vetë. Josip Broz, i cili nxirrte këto gazeta zyrtare sekrete, e të cilat shtypeshin në vetëm dhjetë kopje, e dinte shumë mirë se një luftë ndërmjet komunistëve do të shpërthente në RSFJ, në të cilën këta komunistë do të grindeshin me njëri-tjetrin kinse për interesat kombëtare, por në fakt , do të grindeshin për pasurinë që e kishin grumbulluat duke e grabitur nga populli.”(Zheljko Olujić, Jutarnji List-28.05.2021)
Në dritën e këtij citati nga një shkrim më i gjatë polemizues i avokatit të njohur kroat Zheljko Olujiq, duhet gjykuar edhe Lidhja e Komunistëve të Kosovës(LKK) si një grup mirë i strukturur, apo Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale(NPK). Kryesia e LKK si udhëheqëse e një NPK i luftonte kundërshtarët politik-bashkëkombës të vet në emigracion edhe me vrasje pa gjyq. Padyshim që një vrasje e tillë ishte urdhëruar edhe ndaj Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës e Bardhosh Gërvallës, që ndodhi më 17 janar të vitit 1982. Kjo vrasja e aktivistëve politik të çështjes kombëtare shqiptare në emigracion në Gjermani, konsiderohet si vrasje e shekullit.
Udhëheqja e lartë komuniste e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, me gjithë aparatin represiv të saj, UDB-Shërbimin e Sigurimit Shtetëror, Prokurorinë, Gjykatat dhe Milicinë, survejonin, spiunonin, ndiqnin, arrestonin, torturonin dhe gjymtonin, dënonin dhe i vrisnin kundërshtarët e rendit kushtetues jugosllav, kryesisht të kombësisë shqipare.
Në përfundim të luftës së dytë botërore dhe në dimrin e vitit 1945, në Kosovë ndodhën masakrat në Drenicë, masakra në Tivar të Malit të Zi e në vendet tjera, ku e vranë me mijra shqiptarë, Kosova u ri-okupua nga Serbia, okupim që u legalizua nga Këshilli Krahinor që mbajti mbledhje në Prizren në fillim të korrikut të vitit 1945. Me ngritje dore për bashkim të Kosovës me Serbinë u deklaruan edhe udhëheqja e lartë komuniste e Kosovës, shqiptarë që vetëm para një viti e gjysmë më herët, në janar të vitit 1944 kishin vendosur në një kuvend në Bujan të Tropojës për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.
Pas vitit 1966, pra pas të ashtuquajturit plenium të Brioneve, dhe avansimit të autonomisë së Kosovës me Kushtetutën e vitit 1974, udhëheqësit komunist të Kosovës morën krah, dhe filluan më me zell të i përndiqnin kundërshtarët politik, nacionalist dhe ireredentist shqiptarë. Kështu përkushtimin ndaj kësaj lufte e dëshmuan me procesin gjyqësor në vitin 1976 ndaj Adem Demaçit dhe 18 bashkëpunëtorëve të tij kur u gjykuan dhe u dënuan me shumë vite burg të rëndë. Ky proces ishte një farsë e montuar pa kurfarë baze në fakte, siq edhe pohoi më vonë vetë Adem Demaçi.
Por se fytyrën e vetë të vërtetë, komunistët e Kosovës e treguan pas demonstaratave të vitit 1981.
Por të i kthehemi vrasjes së Jusuf Gërvallës bashkë me vëllaun Bardhoshin dhe Kadri Zekën, tash e 40 vjet më parë. Sipas analizave të fakteve të përmendura më lartë, del se kjo vrasje ishte propozuar dhe vendosur nga establishmenti partiak-LKK dhe ai qeverisës i KSAK i asaj kohe, pra i vitit 1981-1982. Urdhëruesit e vrasjes së 17 janarit të vitit 1982, të kësaj vrasje makabre ishin pjesë e një Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale kundër popullit shqiptar të Kosovës e më gjerë. Veprimtaria kriminale e organizatës komuniste të Kosovës është ushtruar që nga viti 1945 e deri më 1990 në emër të idealeve të LKJ dhe Jugosllavisë së AVNOJ-it. Në krye të organizatës komuniste të Kosovës ishte Fadil Hoxha&Co. Dhe patjetër që kjo NPK do të përfundonte tek famëkeqi Rrahman Morina, të cilin në një moment të caktuar, padroni nga Beogradi e hodhi sikurse një limon të shtrydhur si të padobishëm.
Veprimtaria kriminale dhe terroriste e Komitetit Krahinor të Partisë Komuniste të Jugosllavisë për Kosovë e Metohi, fillon qysh gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore, me akte terroriste të vrasjes në pabesi të intelektualeve patriot si Iljaz Agushi, Adem Boletini, Bedri Pejani etj. me pretekstin se ishin kusling, “bashkëpunonin me okupatorin”. Këto vrasje vazhduan sidomos pas “çlirimit” në fund të vitit 1944. Periudha e sundimit komunist jugosllav të Kosovës duhet studiuar në mënyrë objektive nga historiografia jonë, që gjeneratat e ardhshme ta kenë të qartë se çfarë ishte kjo periudhë. Secilit individ a personalitet duhet të i jepet gjykimi i merituar dhe nuk duhet të amnistohet askush për çfardo arsye nga ky gjykim objektiv.
Fatkeqësisht, sot e kësaj dite, Kosova nuk e përmbushi një standard të kërkuar nga Parlamanti Evropian, pas rënies së murit të Berlinit dhe rënies së perdes së hekurt në kontinentin tonë. Në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, kombet dhe shtetet që panë dritën e lirisë dhe të demokracisë duke dalë nga terri komunist, i pastronin llogaritë me të kaluarën e vet duke filluar një proces të dekomunistizimit si Gjermania Lindore, Çekia, Sllovenia, Hungaria, Polonia etj. Por te ne çfarë ndodhi në Kosovë? Thuhet se çdo të mirë e përcjellë edhe ndonjë e keqe. Kur një grup intelektualësh dhe veprimtarë ish-të burgosur politik në Kosovë, inicuan dhe filluan një aksion mbarëkombëtar të
pajtimit të gjaqeve, anë të mirë padyshim ky aksion, kishte aspektin human e njerëzor, dhe sidomos bashkimin dhe kohezionin shoqëror përpara një rreziku që po i kanosej Kosovës nga Serbia fashiste. Por njëkohësisht para opinionit evropian dhe atij botëror shpërfaqej kombi shqiptar në Kosovë si një popull barbare dhe primitiv që ende jeton dhe udhëhiqet me rregulla kanunore të mesjetës. Aksioni për pajtimin e gjaqeve, s’kishte se si mos të afektonte edhe “pajtimin” e persekutorëve udbasho komunist të Kosovës me ish të persekutuarit dhe ish të burgosurit politik. Bashkimi dhe unitet i popullit aq i domosdoshëm, përballë Serbisë okupatore, u finalizue edhe me grumbullimin e gjith ish komunistëve në Lidhjen Demokratike të Kosovës-LDK. Përfundimisht procesi i dekomunistizimit apo dejugosllavizimit të shoqërinë kosovare u bë i panevojshëm, përçarës dhe i dëmshëm sipas disave, të paktën në këtë periudhë kohore.
Por pas çlirimit të Kosovës, më 1999 me fillimin e vendosjen e administratës qeverisëse të UNMIK bashkë me vendorët, ish udbashët, ish gjyqtarët, ish prokurorët pra ish persekutorët u vendosën në pozitat kyqe të administrimit të Kosovës. Dhe jo vetëm këta, por edhe bijë e bija e familjarë të këtyre ishave, kishin përparësi për t’u punësuar në këto pozita. Në anën tjetët, ky soj i njerëzve nuk e kishte për zor të ju përkëdhelnin sedrën “kumandantave çlirimtarë” që bënin “ligjin” në Kosovën e pas vitit 1999. “Përvoja” dhe eksperienca e ish udbashëve për çudi i hyri në punë strukturave të reja informativo-kundërinformative si SHIK e SIA. Atëherë të flisje për dekomunistizim(dejugosllavizim) të shoqërisë kosovare dhe lustracion ishte iluzore. Kriza morale që ka pllakosur shoqërinë tonë, frustrimi, zhgënjimi dhe mosbesimi për një të ardhme më të mirë të Kosovës janë pasojë edhe e mungesës së ligjit të lustracionit. Në mungesë të këtij ligji sot e kësaj dite ish persekutorët e sistemit komunist të Kosovës dhe bijtë e tyre punësohen në institucionet më vitale të shtetit, ndërsa viktimat e tyre dhe bijtë e të persekutuarve duhet të marrin rrugët e emigracionit.
Por të marrim rastin e Kroacisë dhe të ashtuquajturin “Lex Perkoviq”. Në vitin 2014 shteti i Kroacisë u detyrua që të ia dorëzoj drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, dy ish-udhëheqës të Shërbimit të Sigurimit Shtetëror jugosllav dhe kroat-UDB, Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq për një krim-vrasje barbare që ishte kryer në tokën gjermane përpara 31 viteve. Akuza e konfirmuar nga një gjykatë në Munih ishte se këta ish-shefa të UDB kishin marrë pjesë në përgaditjen e kësaj vrasjeje të disidentit kroat, pra me 27 Korrik të vitit 1983, të Stjepan Gjurekoviqit. Vite më herët, më 2008, për pjesëmarrje në përgaditjen e likudimit të disidentit kroat, nga gjykata në Munih ishte dënuar me burgim të përjetshëm një ish bashkëpunëtor i UDB, i quajtur Krunosllav Prates. Krimi i tij i pranuar ishte se një kopje të çelësit të garazhes, ia kishte dorëzuar shefit të UDB Josip Perkoviq, e që pastaj vrasësit e kishin shfrytëzuar këtë çelës për të hyrë fshehtas në garazh e për ta vrarë dhe masakruar disidentin kroat. Në këtë garazh në Munih ishte vendosur shtypshkronja nga ku shtypej material i ndryshëm propagandues kundër Jugosllavisë nga dididenti kroat Stjepan Gjurekoviq. Pra ky fakt ka mjaftuar për drejtësinë gjermane që edhe të dy shefat e UDB janë dënuar me burgim të përjetshëm. Këtu duhet përmendur punën e palodhur të një aktivisti dhe patrioti kroat Bozho Vukushiq i cili arriti të çoj para drejtësisë kriminelët udbash për këtë krim monstruoz. Poashtu z.Vukushiq është në proces për dërgimin para drejtësisë edhe të autorëve pjesëmarrës në vrasjen e të paktën gjashtë disidentëve kroat nga UDB jugosllave. Drejtësia gjermane krimin e vrasjes e konsideron të pavjetëruar(parashkruar) dhe të paaminstueshëm. Dënimi me burgim të përjetshëm është i caktuar si për urdhëdhënësit e vrasjes, pjesëmarrësit në përgaditjen e vrasjes dhe ekzekutorët e vrasjes. Sa për sqarim, nga presidenti kroat, Franjo Tugjman dhe më pastaj presidenti Stjepan Mesiq, Josip Perkoviq dhe Zdravko Mustaq vlerësohen si shumë të merituar për kontribute në themelimin e shtetit të pavarur kroat dhe agjencive së sigurimit shtetëror kroat . Por ky fakt ata nuk i ka aminstuar për pjesëmarrje në krimin e vrasjes në Munih.
Ish veprimtarët dhe bashkëveprimtarët e Jusuf Gërvallës në emigracion duhet të pyesin veten se çka bënë për dërgimin para drejtësisë të urdhërdhënësve, ata që morën pjesë në përgaditjen dhe ekzekutuesit e vrasjes së 17 Janarit të vitit 1982? Apo ndoshta siq thuhet Jusuf Gërvalla para se të ndërronte jetë paska thënë se “nëse vrasësit janë shqiptarë, kurr mos u zbulofshin”, e kjo thënje ka bërë që ata të flejnë mendjen për të mos ngarendur që të zbulohen vrasësit udbash.
Në vend se të shfrytëzohen përparësitë e sistemit të drejtësisë së Gjermanisë, për sa u tha më lartë, shumë ish veprimtarë nga emigracioni, erdhën në Kosovën e lirë, dhe sikur u mjaftuan që në çdo përvjetor të shkonin para varreve të bashkëveprimtarëve të vrarë, dhe të thërrisnin “lavdi”. Bile disa edhe bëjnë të gjithditurin dhe analistin nëpër studiot televizive duke na shitur mendë, e besa edhe duke vënë goxha pasuri për veten e tyre. Patrioti kroat Bozho Vukushiq të ju shërbej si referenc dhe të i vrasë ndërgjegja mbase.
Fakt është se Partia, gjegjësisht Lidhja e Komunistëve të Kosovës ka udhëhequr me Shërbimin e Sigurimit Shtetëror në Kosovë si dhe organet tjera represive, dhe jo e kundërta.
Fakt është se Krahina Socialiste Autonome e Kosovës(edhe e Vojvodinës) si njësi federale ka pasur një trupë të përhershme të formuar të kryesisë së saj, që quhej Këshill për Mbrojtjen e rendit Kushtetues të Kosovës. Këtë trup punues, sipas modelit federal jugosllav, e përbënin: 3 anëtarë të kryesisë së KSAK, Kryetari i Kryesisë së Komitetit Krahinor të LKK, Kryetari i Këshillit Ekzekutiv Krahinor, Sekretari krahinor i Mbrojtjes Popullore, Sekretari Krahinor i Punëve të Brendëshme dhe Sekretari Krahinor për Punë të Jashtme. Besohet se ky organ me këtë përbërje ka vendosur dhe urdhëruar për likudimin fizik të qytetarëve të vet-veprimtar të çështjes kombëtare në emigracion, pa proces gjyqësor, të vlerësuar si shumë të rrezikshëm për rendin kushtetues të vendit.
Sipas shkresave të lëndës në procesin gjyqësor në Munih kundër agjentëve kroat Perkoviq etj. del e dhëna se presidenti i RSFJ, Josip Broz deri sa ishte gjallë vet i merrte vendimet dhe urdhëronte vrasjet pa gjykim të disidentëve që vepronin në emigracion. Kurse pas vdekjes së Josip Brozit këtë kompetenc e kishte Këshilli Federativ për Mbrojtje të Rendit Kushtetues. Pra kryesia e Partisë, në këtë rast LKK, Këshilli krahinor për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe Këshilli federativ për mbrojtjen e rendit kushtetues janë organe që propozonin, vendosnin dhe urdhëronin likudimin e veprimtarëve disident në emigracion, sikurse Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka si dhe Enver Hadrin etj.
Në një show program të RTK1 të vitit të kaluar (“Kojshia Shou”-25.05.2021, https://www.youtube.com/watch?v=pRrMB6-AJBc) ku ishte mysafir ish-Kryetari i Kryesisë së Lidhjes së Komunistëve të Kosovës Azem Vllasin, kur pyetet nga moderatori i këtij shou prgrami për vrasjen e Jusuf Gërvallës, ai bën të paditurin me shprehjet “thuhet se”, dhe mirret me thashetheme për rastin e vrasjes së 17 janarit 1982. Avokati mbrojtës i agjentëve të UDB, A.Nobilo, pra i Perkoviqit dhe Mustaqit në procesin gjyqësor në Munih në vitin 2016, tërë mbrojtjen e përqëndron tek argumenti gjoja se për likuidimin e disidentëve në emigracion ishte përgjegjësi eksluzive e nivelit federativ, pra e Stane Dollanc etj. Edhe avokati Azem Vllasi thotë të njejtën gjë për vrasjen e Jusufit, Bardhoshit e Kadriut. Porse nga shkresat e gjykimit në Mynih të Perkoviqit dhe Mustaqit u dëshmua qartë se proceset monstruoze në Jugosllavinë titoiste të likudimeve të disidentëve politik në emigracion kishin një protokoll të qartë dhe preciz ku përfshiheshin strukturat udbeske prej nivelit lokal, komunës e më lartrë, e ku fjalën kryesore e kishte establishmenti partiak i njësisë federale, në këtë rast KSA Kosovës. Prandaj vetvetiu shtrohet pyetja çfarë fsheh ky njeri, pra Azem Vllasi dikur eksponent shumë i fuqishëm i sistemit komunist jugosllav në Kosovë. Është koha që pas 40 vjetëve të thotë të vërtetën.
Ajo që dihet të paktën dhe shkruhet në memoaret e bashkëveprimtarëve të Jusuf Gërvallës, është se, kryeshefi i shërbimit të sigurimit shtetëror në Prizren, V.K. i kishte dërguar mesazhin kërcënues Jusufit, disa muaj më herët, para se do të vritet, me çka vërtetohet të paktën, pjesëmarrja e tij në fazën fillestare të operacionit për likuidimin e tij fizik.
Është momenti i fundit që me rastin e përkujtimit të 40 vjetorit të vrasjeve të 17 Janarit 1982, Kosova sa më parë të filloj procesin e lustracionit që nënkupton edhe dekomunistizimin e shoqërisë, duke nxjerrë ligj për këtë çështje, si çdo komb i civilizuar që tashmë e kanë bërë.
Poashtu të formohet një komision shtetëror që të hulumtoj dhe grumbulloj fakte nga arkivat, procesverbalet dhe dëshmitarët e gjallë në mënyrë që të i dërgoj para drejtësisë gjermane të gjithë ata që kanë gisht në vrasjen e Jusuf Gërvallës etj.në mënyrë që këta të marrin dënimin e merituar.