Antidroga e Policisë zbulon mbi 10 kg drogë të fshehur në një bunker në Prizren, arrestohet i dyshuari
Antidroga e Policisë së Kosovës ka zbuluar mbi 10 kilogram drogë të fshehur në një bunker në një lokal në Prizren. Lidhur me këtë rast është arrestuar një person i dyshuar, i njëjti sipas policisë është recidivist i veprave penale.
Siç njofton policia, zbulimi i drogës ka ardhur pasi Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik-Njësia në Prizren, pas një pune operativo-hetimore dje në konsultim me prokurorin ka ndërmarr veprime në teren në asistim të një patrulle policore dhe është ndaluar automjeti Citroën C3 ngjyrë hiri që vozitej nga një person i dyshuar mashkull.
Gjatë kontrollit në automjetin e tij është gjetë një qese plastike e mbushur me substancë të dyshuar të llojit marihuanë.
“Menjëherë janë njoftuar autoritetet kompetente të drejtësisë dhe janë marr autorizime përkatëse për bastisje/kontroll në lokalin dhe shtëpinë e të dyshuarit në Prizren”, vijon policia.
Në asistim të operatorëve të Njësisë për Reagim të Shpejtë (NJRSH) dhe Forenzikës Rajonale të Prizrenit ka filluar kontrolli në lokalin e të dyshuarit në Prizren.
“Gjatë kontrollit në lokal nën shkallët e lokalit është gjetë një bunker i kamufluar (modifikuar) mirë ku vërehej një derë e vogël që në prizëm (të rrymës elektrike) kishte vendin për qelës. Me anë të qelësit që e kishte i dyshuari është hap ajo derë dhe brenda saj janë gjetë dhe sekuestruar tetë (8) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë.
Përveç lokalit në fjalë është kontrolluar edhe shtëpia e të dyshuarit, ku po ashtu është gjetë një qese e vogël me substancë të dyshuar narkotike e dyshuar si marihuanë”, njofton policia.
Në këtë operacion të bastisjes/kontrollit janë gjetë dhe sekuestruar si prova materiale dëshmitë si në vijim: Nëntë (9) qese plastike me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë me peshë 10038.08 gram. Një shumë e konsiderueshme e qeseve plastike të zbrazëta, Një veturë modeli Citroen C3 ngjyr hiri me targa vendore, Një palë qelësa për hapjen e lokalit, Një qelës për hapjen e bunkerit, Një telefon mobil.
“Vlen të përmendet se i dyshuari është recidivist i veprave të tilla penale dhe pas konsultimit me prokurorin, i njëjti ka lëshuar vendim që i dyshuari të ndalohet për 48 orë për procedura të mëtejme hetimore”, thuhet tutje në njoftimin e policisë.