Rrënojat e Xhamisë së vjetër në fshatin Shkozë të Malishevës, pjesë e listës së aseteve në mbrojtje të përkohshme

Xhamia dhe mejtepi i vjetër i fshatit Shkozë është ndërtuar në vitin 1916. Sipas banorëve të moshuar të këtij fshati në këtë vend ishte vendosur Mehmet Alia me familjen e tij diku në fund të shekullit XVII- të. Thuhet se në atë kohë pjesa ku është xhamia dhe mejtepi i vjetër, tashmë i djegur, ishte përplot me lisa të mëdhenj. Me vonë pasi janë ndarë djemtë, trojet e para i kanë lëshuar vakëf dhe e kanë ndërtuar në këtë vend xhaminë dhe mejtepin e fshatit që deri në luftën e fundit ka qëndruar në këmbë. Pra ka të ngjarë që para mejtepit të jetë edhe ndonjë objekt i mëhershëm që ishte përdorur si xhami. Objekti përbëhej nga dy kate, ku kati parë përdorej për kryerjen e riteve fetare pra si xhami, kurse kati i dytë deri në vitet pesëdhjeta u përdor si mejtep dhe më vonë edhe si shkollë.

Xhamia së bashku me mejtepin (shkollën) ishte ndërtuar me kontributin e fshatarëve. Në këtë xhami shërbyen personalitete të njohura të fshatit Shkozë, si hoxha i parë i fshatit Mulla Bajram Bytyçi, njëherësh edhe pleqnarë dhe veprimtarë i njohur i viteve 1900-1913. Pas tij shërbeu Hafës Islam Bytyçi një hoxhë dhe intelektual i ri atdhetar, poet dhe pjesëtarë i organizatës së fshehtë atdhetare ,,Drita” që veproj gjatë viteve 1930-1939, i cili u helmua gjatë kryerjes së shërbimit ushtarak në Nish. Gjithashtu në këtë objekt shërbeu edhe Mulla Adem Bytyçi, një hoxhë patriot i cili ishte udhëheqës i burrave të Shkozës dhe më gjerë në luftërat për mbrojtjen e kufirit të Shqipërisë etnike në Kollashin gjatë viteve 1942-44, si dhe i cili pas ripushtimit të vendit nga komunistët partizan, qëndroj nëpër male si kaqak deri në fund të vitit 1946. Në këtë xhami shkollë, përveç mësimeve fetare hoxhallarët patriot qysh gjatë Jugosllavisë mbretërore, fshehtas u kishin mësuar fëmijëve shkrim – leximin në gjuhën shqipe, përmes librave shqip që i kishin siguruar në fshehtësi nga konsulli i Shqipërisë në Shkup. Hoxhallarë të njohur si Hafëz Resim Bytyçi dhe Hafëz Sylejman Bytyçi gjithashtu kanë shërbyer në këtë objekt.

Ky objekt vazhdoj edhe pas vitit 1945 të përdorej si xhami, si mejtep për mësim fetar dhe si shkollë laike. Ky objekt u shfrytëzua edhe për shkollën e parë të fshatit Shkozë, deri në vitin 1953 kur edhe u ndërtua objekti i ri i shkollës në fund të fshatit. Banorët e fshatit i kujtojnë edhe mësuesit e parë që shërbyen në këtë objekt si: Bajram Qosa nga fshati Opterushë, Azem Kastrati nga Damaneku, A. Bujupi nga Arllati, Ramadan Telaku nga Banja, Riza Krasniqi nga Pagarusha, Istref Paqarizi nga Dragobili etj.

Pushteti Jugosllav këtë objekt e përdorte edhe për takime, mbledhje por edhe për aktivitetet e tij kundrejt banorëve të fshatit gjatë viteve të vështira të pas luftës së dytë botërore, si në kohën e OZN-së, Reformës agrare (Dorëzimit të tepricës së drithit – Otkupit, ku banorëve u merrej dhunshëm ai pak drithë që kishin), periudhës së Rankoviqit (rrahjet dhe maltretimet e banorëve në emër të çarmatosjes së banorëve).

Objekti i xhamisë dhe mejtepit u rinovua në vitin 1967, kur iu ndërrua kulmi. Gjithashtu nga janari i vitit 1999, përveç si xhami, pjesa e mejtepit u shfrytëzua edhe nga kompania e UÇK-së e fshatit Shkozë, si vendkomandë dhe vendstrehim i pjesëtarëve të saj. Forcat serbe pasi thyen pozicionet e UÇK-së në mars të vitit 1999 e dogjën dhe e shkatërruan tërësisht këtë objekt dhe shtëpitë e tjera të fshatit Shkozë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *