Ngacmoi seksualisht një 12 vjeçare, dënohet me dy muaj burgim prizrenasi
Gjykata Themelore në Prizren, ka bërë të ditur se Departamenti i Përgjithshëm i ka caktuar burgim me kohëzgjatje prej dy vitesh (në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim nga data 29.10.2021 e tutje), të akuzuarit T.Th., për shkak se i njëjti më datë 20 dhe 25 tetor të vitit 2021, ka ngacmuar seksualisht një 12 vjeçare.
Sipas gjykatës, i akuzuari T.Th., më datë 20 tetor në orët e mesditës derisa ishte me biçikletë i afrohet të dëmtuarës e cila ishte e vetme duke u kthyer nga shkolla për në shtëpi dhe e ngacmon me fjalë.
Po ashtu me datë 25 tetor në orët e mesditës derisa e dëmtuara ishte e vetme i akuzuari i del para, i bën me vetulla dhe i qeshet në fytyrë.
“E dëmtuara e frikësuar kërkon një telefon, e në atë moment i akuzuari e dëgjon dhe ik nga aty, veprime këto me të cilat të dëmtuarës i ka cenuar dinjitetin dhe ka krijuar mjedis frikësues degradues dhe poshtërues”, thuhet nga Gjykata Themelore në Prizren.
Sipas gjykatës, me këtë rast, ai ka kryer veprën penale ngacmimi seksual nga neni 183 par. 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Pas shpalljes së aktgjykimit, gjyqtari i rastit ka njoftuar palët që brenda afatit ligjor të gjithë palët në procedurë do të pranojnë aktgjykimin e plotë në formë të shkruar dhe të arsyetuar. Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet tutje në njoftim.