56-vjeçari nga Prizreni vdiq pas lojës së futbollit, detaje të reja
Një person ka vdekur mesditën e së dielës, pasi i është përkeqësuar gjendja shëndetësore, pas një loje futbolli. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërkaq ende nuk dihen shkaqet e vdekjes.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Fitore Mehmeti-Sejrani, ka deklaruar se viktima është rreth 56-vjeçar.
Mehmeti-Sejrani ka deklaruar se ende nuk dihen shkaqet e vdekjes, ndërkaq me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Referuar pyetjeve tuaja, ju njoftojmë se me datë 13.02.2022 një person i gjinisë mashkullore i moshës rreth 56 vjeçare, përderisa ishte duke luajtur futboll, i është keqësuar gjendja shëndetësore. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Rasti është cilësuar si “Vdekje e dyshimtë” dhe lidhur me këtë prokuroria ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), në Prishtinë, me qëllim të identifikimit të shkaktarit të vdekjes”, ka deklaruar Mehmeti-Sejrani.
Ndërkaq zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, ka deklaruar se pas përfundimit të lojës, viktima s’ishte ndier mirë.
“Pas përfundimit të lojës, ka hipur në automjetin e tij, i është përkeqësuar gjendja shëndetësore. Është dërguar në emergjencë”, ka deklaruar Gashi.
Për këtë rast ka njoftuar edhe policia në raportin 24 orësh.
“Vdekje e dyshimtë-Prizren, 13.02.2022 – 15:10. Raportohet se viktima mashkull kosovar përderisa ishte duke luajtur futboll, i është keqësuar gjendja shëndetësore. Viktima është dërguar në Spitalin e Prizrenit, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pa jete i viktimës dërgohet në IML për Obduksion”, ka bërë të ditur policia./ Gazeta Express