Ngritet aktakuzë ndaj tre personave që dyshohet se falsifikuan para në Prizren
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave për falsifikim të parave.
Sipas aktakuzës, i akuzuari i parë A.Th., me datë 11.06.2021 rreth orës 10:30 minuta në Prizren, duke ditur se paraja është e falsifikuar, me qëllim të vënies në qarkullim si të vërtetë, pranon 284 monedha metalike nga 2 euro.
“Si bashkëpronar i një subjekti privat tek njëri prej tregjeve në Prizren, ku gjatë bastisjes nga ana e policisë i janë gjetur monedha metalike në qarkullim dhe atë 284 nga 2 euro, gjithsej 568 euro të falsifikuara”, thuhet në komunikatë.
Po ashtu, tutje thuhet se i akuzuari i dytë B.M., në datë, kohë dhe vend të njëjtë, duke ditur se paraja është e falsifikuar pranon me qëllim të vënies në qarkullim si të vërtetë 63 monedha metalike nga 2 euro, në atë mënyrë që si bashkëpronar i një subjekti privat tek njëri prej tregjeve në Prizren, gjatë bastisjes nga ana e policisë i janë gjetur monedha metalike në qarkullim, dhe atë 63 nga 2 euro, gjithsej 126 euro të falsifikuara.
“I akuzuari i tretë L.K., në datë, kohë dhe vend të njëjtë, duke ditur se paraja është e falsifikuar pranon me qëllim të vënies në qarkullim si të vërtetë 50 monedha metalike nga 2 euro, në atë mënyrë që si pronar i një subjekti privat tek njëri prej tregjeve në Prizren, gjatë bastisjes nga ana e policisë i janë gjetur monedha metalike në qarkullim, dhe atë 50 nga 2 euro gjithsej 100 euro të falsifikuara”, thuhet tutje.
Në të trija rastet, është vërtetuar se paratë janë falsifikim i plotë, përmes raportit të ekspertimit të datës 07.09.2021 nga Agjensioni i Kosovës për Forenzikë.
Me këto veprime, të pandehurit e lartpërmendur kanë përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.