Subvencionet e dyshimta në Prizren

Ndarja e 130 mijë eurove subvencione për 26 transportues privatë të komunës së Prizrenit, u përcoll me shumë ankesa e dyshime për keqpërdorime.

Historia nis 20 muaj më parë, kur Kuvendi Komunal në Prizren mori vendim për ndarjen e 130 mijë eurove për 26 transportues të kësaj komune pas situatës së krijuar me pandeminë COVID-19. Siç parashihte vendimi, 26 transportuesit do të përfitonin ndihmë nga 5 mijë euro.Iniciativa nisi nga disa asamblistë të Kuvendit Komunal të Prizrenit.

Ndër ta ishte edhe Islam Ukaj, ish-asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ish-sekretar në shoqatën e transportuesve “Kosova e Lirë” në Prizren.Ukaj ishte në listën përfundimtare të atyre që përfituan subvencione nga Komuna.

Aktualisht, Islam Ukaj është emëruar drejtor i Inspektoratit në qeverisjen lokale që drejtohet nga Shaqir Totaj i PDK-së.

Janë të paktën tri kompani të transportit privat që po pretendojnë se drejtori i tanishëm i Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, Islam Ukaj, i ka kushtëzuar ata duke iu thënë se, nëse dëshironi të jeni përfitues të subvencioneve, duhet që t’i japin 1 mijë e 500 euro nga shuma e përgjithshme, që ishte 5 mijë euro.

Këto 1 mijë e 500 euro, siç u kishte thënë operatorëve Islam Ukaj, do të ndaheshin për disa transportues të tjerë, të cilët kishin mbetur jashtë listës finale të përfituesve.Vetë Islam Ukaj nuk ka pranuar të përgjigjet mbi këto pretendime.Aktualisht, rasti i subvencioneve për transportuesit privatë të Prizrenit po hetohet nga Prokuroria e Shtetit ndërkohë ata që u dëmtuan nga ky proces thonë se do t’i ndjekin të gjitha rrugët ligjore për të marrë atë që u takon.

Njëri nga të pakënaqurit është Rexhep Elezkurtaj, pronar i kompanisë së transportuesve “Mir Tours” nga Prizreni.Ai ka rrëfyer se si Islam Ukaj kishte kërcënuar me heqje nga lista e përfituesve nëse nuk do t’i jepte 1 mijë e 500 euro nga totali që kishte dhënë Komuna për transportuesit privatë.

“Tha duhet me i dhënë 1 mijë e 500 euro, të lëshohen në xhirollogari 5,000 euro, ti tha duhet me i dhënë 1 mijë e 500 euro. Unë i thash, jo 1 mijë e 500 euro po unë nuk kam edhe 1 euro e gjysmë me t’i dhënë, se atëherë ishte pandemia, nuk kisha pare për bukë”, thotë Elezkurtaj.

“Më tha merre këtë konfirmimin e bankës, merre tha edhe shko më tha, unë tha të hoqa prej listës. I thash, kush je more ti me m’heqë prej listës? Më tha: unë jam ai që të kam shti në listë edhe të heq prej listës”, deklaron ai për KALLXO.com.Por, Rexhep Elezkurtaj nuk është i vetmi.Pronari i një kompanie tjetër thotë se anise ishte pjesë e listës së përfituesve u hoq nga ajo pasi nuk pranoi t’ia jepte 1 mijë e 500 euro Islam Ukajt.

“Jo, nuk i kemi marrë sepse është bërë një manipulim prej drejtoreshës dhe personit i cili është angazhuar për ndarjen e këtyre të hollave [Islam Ukaj], d.m.th. me vendim të komunës neve na është ndarë shuma 5000 euro, për 26 transportues”, thotë Vezir Hoxha, pronar i kompanisë “Zhur Tours”.

“Në atë listë kam qenë edhe unë mirëpo pastaj, jo kanë dalë më tepër transportues, jo diçka, është bë një mosmarrëveshje e cila ka ardhë deri te kjo që me na imponua neve që për me i marrë 5,000 euro është dashtë me i kthy 1 mijë e 500 euro”, deklaron Hoxha.Por, kishte edhe kompani të tjera të cilat nuk kanë pranuar që t’i japin nga 1 mijë e 500 euro nga shuma totale që e kishte ndarë Komuna për transportuesit privatë, e që ishte 5 mijë euro.

Përmes telefonit, ketë e kanë konfirmuar kompania “Lumi Tours” dhe “Hoqa Trans”.Qarkullimi i parave ‘cash’

Transportues të tjerë të cilët kishin pranuar që t’i ndajnë 1 mijë e 500 euro nga shuma totale prej 5 mijë euro i kanë dorëzuar ato tek Islam Ukaj. Dorëzimin e parave, siç e kanë konfirmuar vetë ata, e kanë bërë në dorë dhe jo përmes transaksioneve bankare.

Kërkesa për t’i paguar këto para ‘cash’ është sa problematike aq edhe joligjore. Sipas rregullave të Administratës Tatimore, asnjë pagesë mbi 500 euro nuk mund të bëhet në para të gatshme, pra ‘cash’, vetëm vlerat deri në 499 euro e 99 centë mund të kryhen në atë formë. Secila pagesë më e lartë se kaq duhet patjetër të bëhet përmes bankës, parasheh legjislacioni në fuqi.Sami Galluzaj, kryetar i Shoqatës së Transportuesve “Kosova e Lirë” në Prizren e ka konfirmuar se një shumë parash ia ka dorëzuar Islam Ukaj, i cili, siç ka thënë ai, i kishte mbledhur nga transportuesit që ishin përfitues të subvencioneve. Të gjitha paratë, sipas Galluzajt, Ukaj ia ka dorëzuar në zyrë ‘cash’.“E 21 mijë euro janë se janë mbledhë, kanë thënë pak si garancion se s’i kanë besu atij”, ka thënë ai.

“Mua m’i ka pru Islami 21 mijë euro, unë n’xhep i kam pasë o zotëri le të vijnë këta që s’i kanë marrë me mu se unë s’muj me ndryshu kurrgjë”, deklaron tutje Galluzaj gjatë një bisede.Sipas tij, transportuesit nuk kanë të drejtë t’i kërkojnë nga 5 mijë euro, siç e parashihte vendimi i Kuvendit Komunal, pasi, sipas tij, ishte një marrëveshje që të ndahen nga 1 mijë e 500 euro.Tutje, ai thotë se 10 mijë e 500 euro ia ka kthyer prapa Ukajt pasi nuk kishte arritur t’i shpërndante te transportuesit që kishin mbetur jashtë listës përfundimtare.Për rastin nuk ka pranuar të deklarohet kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.

Por, një deklarim e ka dhënë zëdhënësja e Komunës, Jona Hoxhaj.Ajo tha se autoritetet komunale nuk janë në dijeni se drejtori aktual i Inspektoratit po hetohet nga Prokuroria e Shtetit. Ndërsa tha se ai aktualisht nuk mund të shkarkohet pa pasur një aktakuzë të konfirmuar nga gjykata.Për rastin ku ngritën dyshime për keqpërdorim të subvencioneve ka folur ish-drejtoresha e Financave në Komunën e Prizrenit në kohën kur ishin ndarë mjetet, Leonora Qerreti.

Ajo ka thënë që ky proces ishte përcjellë me probleme që nga fillimi.“Mangësia e këtij vendimi që të gjithë pajtohen mund të konsultoheni edhe me asamblistët që kanë qenë ka qenë thjesht shpejtësia që është marrë dhe analizë shumë e cekët që është bërë nuk ka pasur kritere prandaj ne kemi qenë të vetëdijshëm që ky vendim ka pasur mangësi, por kemi pasur dy zgjidhje, ose t’i ndihmojmë ata 26 operatorë siç e ka paraparë vendimi ose mos te ekzekutojmë”, ka thënë ajo.

“Roli jonë si drejtori ka qenë vetëm ndarja e mjeteve sipas vendimit që ka qenë i Asamblesë Komunale. Mjetet ka qenë plani të ndahen mjetet për 26 operatorë sepse në vendim ka qenë e specifikune, kriteret nuk kanë qenë në vendim çka ne si Drejtori kemi propozuar më pastaj në shtator që të përcaktohen kriteret por propozimi jonë nuk është pranuar dhe është kthyer prapa dhe nuk ka marrë aprovimin e kuvendarëve”, thotë tutje ajo.

Mohimi i pretendimeve nga Islam UkajDrejtori aktual i Inspektoratit, Islam Ukaj, nuk ka pranuar që të takohet për intervistë e të shpjegojë rastin për subvencionet. Ai ka preferuar që të përgjigjet përmes adresës elektronike.Ukaj e ka mohuar t’i ketë kushtëzuar transportuesit privatë të Prizrenit në këmbim të përfitimit të subvencioneve.

Sipas tij, ka qenë çështje vullneti e secilit që t’i ndajë nga 1 mijë e 500 euro për transportuesit e tjerë që kanë mbetur jashtë listës.“Unë ju siguroj se në rastin përkatës të gjithë kanë pasur vullnetin e mirë dhe solidar dhe askush nuk ka keqpërdorur mjetet e komunës, përkundrazi mjetet janë ndarë në përputhje me vendimin e Kuvendit të Komunës”, thotë Islam Ukaj.Tutje, ai përmend edhe një listë të pritjes por nuk ka ofruar qasje në listat e ndarjes së subvencioneve.

“Për këtë qëllim është nënshkruar edhe një deklaratë tek noteri. Në lidhje me këtë tre kompani të cilat me gjasë edhe e kanë raportuar këtë rast tek ju, nuk janë pajtuar që të ndihmojnë kompanitë e tjera dhe për këtë qëllim i kanë bartur nga lista primare e përfituesve në atë të pritjes, pasi që kanë konsideruar të gjithë se është e padrejtë të mos respektohet vendimi i shoqatës”, deklaron ai./KALLXO.COM

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *