A do të nisë mësimi në shkolla më 13 shtator
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) shpreson që situata epidemiologjike të përmirësohet deri më 13 shtator, që të mund të fillojë mësimi me prezencë fizike në shkolla, tha zëvendësministri Dukagjin Pupovci.
Për shkak të rritjes së rasteve të reja dhe vdekjeve, Qeveria e Kosovës ka vendosur që të shtyjë nisjen e vitit të ri shkollor 2021/2022 deri m 13 shtator.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci tha se që shkollat të mbahen të hapura ka rekomanduar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe UNICEF-i, por element i rëndësishëm që një gjë e tillë të jetë e mundur, ai tha se është vaksinimi kundër COVID-19.
“Sa i përket vaksinimit të mësimdhënësve, sipas informatave që kemi, nga 19 komuna ku punojnë dy të tretat e punonjësve të arsimit, shkalla e vaksinimit është 77 për qind, që është për 5 për qind më e lartë se javën e kaluar”, tha Pupovci në një konferencë për media të mbajtur të premten.
Ai po ashtu informoi se sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, deri më tani janë vaksinuar vaksinuar 2.369 nxënës dhe 54.438 studentë.
Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që pas 13 shtatorit, të gjithë punonjësit e sektorit publik duhet të paraqesin dëshminë e vaksinimit apo duhet të ofrojnë test negativ kundër koronavirusit, nëse duan të paraqiten në punë. Pupovci tha se kjo masë vlen edhe për mësimdhënësit, andaj i ftoi që të vaksinohen, duke i paralajmëruar se për çdo mungesë pa arsye në punë, janë të parapara edhe sanksione.