A duhet dëshmia e vaksinës për ata që udhëtojnë drejt Evropës këtë fundvit?
Përballja me virusin COVID-19 ndikoi edhe në mënyrën e udhëtimeve anembanë Evropës, por edhe në ndalimin e tyre në shumë raste.
Por a do të duhen dëshmitë për vaksinim Anti-COVID gjatë këtij fundviti në Evropë.
Lidhur me këtë, George Ferroli, nga Komisioni Evropian për çështjen e COVID-19 deklaroi se nuk është obligim pajisja me dëshminë e vaksinës Anti-COVID.
“Jo nuk është e vërtetë. Rregullorja e BE-së për certifikatat digjitale COVID-19 hyri në fuqi më 1 korrik të këtij viti. Certifikata digjitale e BE-së për COVID-19 është provë se një person ose është vaksinuar kundër COVID-19, ose ka marrë rezultate negative të testit, ose është shëruar nga kjo sëmundje”tha Ferroli.
Sipas Feroli-t nga pikëpamja ligjore, gjithçka është e qartë: vaksina nuk është e detyrueshme.
“Megjithatë gjërat mund të ndërlikohen në praktikë. Komisioni Evropian u jep vetëm rekomandimeve shteteve anëtare se si të sillen gjatë një pandemie, por shtetet nuk janë të detyruara të pranojnë këtë dhe secili vepron në përputhje me rregullat e brendshme. Ajo që le të themi vlen për Hungarinë apo Greqinë, nuk vlen për Gjermaninë apo Belgjikën. Për këtë arsye është e nevojshme që përpara nisjes për në udhëtim të konsultoheni në detaje me ambasadën e çdo vendi, për të shmangur surprizat e pakëndshme”, u tha tutje nga Ferolli.
Bashkimi Evropian ka krijuar po ashtu një listë të gjelbër, e cila përfshin të gjitha ato vende në të cilat ka më pak se 75 të infektuar për 100 mijë banorë.
Rekomandohet që qytetarët e tyre të hyjnë lirisht në vendet anëtare të BE-së, e nga të tjerët vetëm në bazë të nevojës.
Në rastin e parë, vendet në të cilat udhëtojnë banorët e vendeve të “listës së gjelbër”, zakonisht kërkojnë teste ose konfirmimin e vaksinës antiCOVID për çdo rast, ndërsa në rastin e dytë Komisioni Evropian rekomandon që të lejohen të hyjnë të gjitha personat e vaksinuar, me vaksina të njohura nga Agjencia Evropiane për barna, pavarësisht nëse udhëtimi i tyre është i nevojshëm apo jo, raporton lajmi.net.
Në praktikë, shtetet anëtare, në bazë të një rekomandimi të KE-së, lejojnë hyrjen për ata që plotësojnë një nga tri kushtet- një vaksinë, një test ose certifikatë sëmundjeje, por qëndrimi në BE mund të jetë i ndërlikuar për ata që hyjnë pa vaksinë, sepse për shumë prej tyre, lejet sanitare janë të nevojshme.
Në Francë, këto leje janë të nevojshme për të shkuar në një restorant, kinema, muze, në ndeshje futbolli, në udhëtim me tren, aeroplan, varkë e të tjera. Kush arrin vetëm me test negativ në Francë dhe pa vaksinë, do të thotë se duhet të bëjë testin PCR çdo 72 orë, ose në mënyrë antigjene çdo 48 orë, për të funksionuar normalisht.