A është dorëzuar ndonjë koalicion, flasin nga KQZ-ja
Partitë politike të regjistruara në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhje përmes koalicionit, duhet që të njoftojnë KQZ-në sot deri në ora 18:00.
Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme koalicioni mund të përbëhet vetëm nga partitë politike.
Nga KQZ thonë se deri në këto momente nuk kanë pranuar asnjë deklarim për koalicione.
Megjithatë, janë disa rregulla të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe të cilat duhet t’i kenë parasysh partitë politike.
Partitë politike të cilat nuk e njoftojnë KQZ-në se do të garojnë në këto zgjedhje si koalicione, ato nuk mund të aplikojnë për certifikim dhe të garojnë si pjesë e koalicionit pas afatit të paraparë.
Po ashtu, partitë politike që deklarohen se do të garojnë në emër të koalicionit, pas datës 12 janar nuk mund të garojnë si të vetme në zgjedhje.
Partia politike e cila tërhiqet nga koalicioni pas datës 12 janar, nuk mund të garojë si e vetme dhe as të lidhë koalicion me ndonjë parti tjetër. Ndërsa, pjesa tjetër e atij koalicioni mund të marrë pjesë në zgjedhje.
Gjithashtu, të gjitha partitë e regjistruara që vendosin të marrin pjesë në zgjedhje, duhet që të nënshkruajnë formularin e pëlqimit të koalicionit.