A janë 400 euro motivi i vrasjes dhe plagosjes në Prizren? Flet prokurorja e rastit
Nazan Shero, prokurorja e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila po merret me rastin e vrasjes dhe plagosjes së dy të rinjve nga Kukësi, ka deklaruar për Gazetën Express se dëshmitarët e intervistuar e kanë përmendur shumën prej 400 eurosh si motiv të mundshëm për këtë ngjarje tragjike. Por, ajo thekson se sa janë të sakta këto deklarata mbetet për t’u vërtetuar pasi rasti është në hetim e sipër.
Prokurorja Shero tha se pronari i lokalit “Kobra City”, Dibran Hoxhaj është mbrojtur në heshtje.
“Sa janë të sakta nuk mundemi me ditë se jemi në hetim e sipër dhe për momentin jam duke ndërmarrë veprime hetimore. Janë deklaratat e dëshmitarëve që flitet për 400 euro mirëpo ai (Dibran Hoxhaj) është mbrojtë në heshtje”, tha Shero për Gazetën Express.
Si pasojë e gjuajtjes me armë zjarri mëngjesin e sotëm policia shqiptare ka njoftuar vdekjen e 31-vjeçarit me iniacialet V. C., dhe plagosjen e R. Sh., 27 vjeç, të dy nga Kukësi. Të njëjtit po barteshin me automjet nga shtetasi A.B., në drejtim të spitalit rajonal të Kukësit.
Pas bastisjes, është mbyllur lokali “Kobra City” në Prizren. Në vendngjarje janë gjetur të paktën tri gëzhoja plumbash si dhe është hasur lokali i demoluar.
Gazeta Express raportoi se bastsisje janë kryer edhe në shtëpinë e Dibran Hoxhës i cili njihet si “Kobra”.