A po vjen koha që qytetarët e Prizrenit të reagojnë?

Shkruan: Bardh Avdaj

Zgjedhjet lokale që po afrohen nuk janë më thjesht një ushtrim formal i demokracisë. Për qytetarët e Prizrenit, ato janë një mundësi për të dhënë gjykimin e tyre ndaj një pushteti që, në vend të përfaqësimit, ka ofruar vetëm përfitime personale dhe injorim total të përgjegjësisë publike.

Si do të reagojnë qytetarët ndaj keqpërdorimeve të pushtetit lokal?

Afera të njëpasnjëshme me tenderë, punësime partiake, degradim të shërbimeve dhe arrogancë politike – qytetarët janë të lodhur. Pyetja është e thjeshtë: a do të reagojnë me votë ndaj kësaj shkelje të dinjitetit të tyre, apo do të heshtin edhe një herë tjetër?

Po militantët e partisë në pushtet, si ndihen?

Ata që dikur e mbajtën gjallë partinë me përkushtim, shpesh pa kurrfarë interesi personal, sot ndihen të tradhtuar. Janë injoruar krejtësisht nga një rreth i ngushtë njerëzish që kanë përdorur partinë si trampolinë për interesa materiale. Ata që kanë dhënë gjithçka për këtë subjekt, sot janë të lënë anash – ndërsa servilët dhe klientët gëzojnë përfitimet. Dhe kjo nuk është vetëm padrejtësi – është vetëshkatërrim politik.

A duhet ende abuzime që ky farë kryetari me shku në shtëpi?

Jo. Ky qytet nuk ka nevojë për menaxhim arrogant, për pushtet që e sheh vetën si pronë private, as për lojëra të pista me interesat e qytetarëve. Nëse nuk shkon në shtëpi për moral, atëherë duhet të shkojë për shkak të dështimit. Nëse nuk ikën për përgjegjësi, atëherë të paktën për gjurmët që po lë – gjurmë që shkojnë drejt prokurorisë.

A ka fituar mjaftueshëm për t’u përballur me drejtësinë pas largimit?

Një pyetje që tingëllon ironike, por që e dimë të gjithë se është më reale se kurrë. Sepse kur pasuria shtohet ndërsa besimi bie, dhe kur tenderët përfundojnë gjithnjë në duar të “njohura”, atëherë dikush duhet të japë llogari. Jo në konferenca shtypi – por para ligjit.

Dhe për fund…

PDK nuk është e “talentit”. Është e atyre që kanë sakrifikuar për ta ndërtuar dhe forcuar, për ta bërë alternativë qeverisëse dhe zë të fuqishëm të qytetarëve. Kur këta njerëz injorohen, fyehen, dhe shtyhen anash, është vetë partia që bie – jo për faj të kundërshtarëve, por për faj të brendshëm. Dhe atëherë, vetë “talenti” që sot sundon me arrogancë, do të mbetet vetëm për të mbushur gropën që e ka hapur vetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *