Aktakuzë kundër njëmbëdhjetë personave, që u përfshinë në përleshje në Mamushë
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve: M.U., F.M., A.B., A.B., J.B., S.M., L.M., A.M., I.B., A.B., dhe I.S., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se të njëjtit kanë kryer veprat penale “Lëndimi i rëndë trupor” nga neni 186, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” nga neni 367, “Lëndimi i lehtë trupor” nga neni 185, “Pjesëmarrja në rrahje” nga neni 187, “Sulmi” nga neni 184, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Sipas aktakuzës, i pandehuri M.U., me datë 06.05.2023 rreth orës 20:05min në Mamushë, saktësisht në hapësirën e jashtme të objektit për shitjen e karburanteve “P.P.”, me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmon me armë zjarri të dëmtuarin I.B., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi në mes të pandehurit A.B., dhe F.M., përfshihen në rrahje 11 (njëmbëdhjetë) të pandehur nga të dyja palët, ku gjatë përleshjes i pandehuri M.U., i armatosur me armë- revolver, shtënë në drejtim të dëmtuarit të cilin e godet në pjesën e këmbës së djathtë, veprime këto me të cilat të dëmtuarit I.B., i shkaktojnë lëndime të rënda trupore. Me këto veprime, i pandehuri M.U., ka kryer veprën penale “Lëndimi i rëndë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
I pandehuri, F.M., gjatë përleshjes, në mënyrë të paautorizuar përdorë armën e zjarrit – pistoletën, me të cilën me qëllim të frikësimit, shtënë disa herë në drejtimin lartë në ajër, me ç’ rast të pranishmëve u shkakton frikë, ankth dhe pasiguri. Me këto veprime kryen veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
I pandehuri, A.B., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, ku gjatë përleshjes, me armën e zjarrit – pistoletë, përkatësisht me pjesën e dorezës së armës e godet dy herë në kokë të dëmtuarin S.M., me ç’ rast të dëmtuarit i shkakton lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin. Me këto veprime, kryen veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”sipas KPRK-së.
I pandehuri, J.B., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personave tjerë, merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndim të rëndë trupor. Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” të KPRK-së.
Të pandehurit: F.M., S.M., L.M., A.M., A.B., I.B., dhe A.B., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje. Me këto veprime, secili veç e veç kishte për të kryer veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje” të KPRK-së.
I pandehuri, I.B., me qëllim që ta lëndoj tjetrin, me dashje e sulmon të dëmtuarin/pandehurin A.B., Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale “Sulmi” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.