Aktakuzë ndaj një personi në Prizren për falsifikim të parave
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se i njëjti ka kryer veprën penale “Falsifikimi i parasë”.
“Sipas aktakuzës, me datë 23.09.2021, rreth orës 12:55 në rrugën ‘’Enver Hadri’’ në Prizren, me dashje – duke e ditur se paraja është e falsifikuar, posedon të njëjtën me qëllim që më pas ta vë në qarkullim si të vërtetë, në atë mënyrë që hyn në një lokal pronar i të cilit është H.M., nga Prizreni, merr një pako të cigareve ‘’Marlboro’’ dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € (njëqind euro) dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete.
Po ashtu, me datë 18.09.2021, rreth orës 08:20 në Prizren, i pandehuri A.K., hyn në një market – pronar i të cilit është N.M., nga Prizreni, merr dy pako të cigareve dhe bën pagesën me kartëmonedhën në shumën prej 100 € (njëqind euro) dhe largohet nga vendi i ngjarjes duke e marrë kusurin me vete”, thuhet në njoftim.
Në të dyja rastet, është vërtetuar se kartëmodhat janë falsifikim i plotë, përmes raportit të ekspertimit të datës 17.11.2021 nga Agjensioni i Kosovës për Forenzikë.
Me këto veprime, i pandehuri A.K., ka përmbushur elementet e veprës penale “Falsifikimi i parasë” sipas KPRK-së.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartëcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit